Pa ty Ismail Kadare
Pa ty
Ismail Kadare
Ti ike udhës së pafundme
Ku zverdhin drurët gjetherënës,
Mbi gjokse pellgjesh tani tundet
I arti medalion i hënës.
Lejleket ikën
Fill pas teje,
Si stof i keq u zbeh blerimi
Dhe ngjajnë toka, pylli, reja
Me negativin e një filmi.
Tani në fusha shkoj menduar
Ku nis të fryjë erë e ftohtë,
Ku ca mullarë të gjysmuar
Duken që larg si Don Kishotë.
Ç’të bëj, po them me veten time,
Në këtë orë të vonë të muzgut,
Ku qerrja baltave bën shkrime.
Të lashta sa të Gjon Buzukut?
Do të shkoj të ulem përmbi pellgjet,
Të pi në gjunjë duke rënë,
Në grykë e di që do të më ngelet
I ftohtë medalioni i hënës.