Qersosi dhe Fshati i Budallenjve – Pjesa e dytë
Duke shkuar kah dasma, Qerosi takon udhës dy burra që përpiqeshin botë e qytë të hipnin kaun mbi çati ku kishte mbirë pak bar.
-Puna mbarë!
-Mirë se erdhe!- i thonë këta ujë në djersë.
-ç’po bëni kështu?
-Ja, po mundohemi tash dy orë ta hipim kaun majë çatisë, që ta hajë barin, por kafshë e trashë, nuk dëgjon.
Hoka piu një gllënjkë shëllirë.
–Po zotëria juaj e keni tutkën ende të njomë, nuk ju është tharë si pleqve; pse nuk e korrni atë çikë bar t’ia jepni kaut ta hajë këtu poshtë?
-Si, si, pa na e thuaj përsëri?- nuk kuptuan ata.
Atëhere Qerosi u ngrit në shkallë me drapër në dorë, e korri atë pak bar dhe ia dha kaut. Dy budallenjtë vështronin si përtypej kau dhe tundnin kokën të habitur që puna paskësh qenë kaq e kollajtë. Kur ngritën kokat për të falenderuar të panjohurin, ky
po largohej.
-Na trego të paktën emrin, zotëri!- i thirrën.
-Doktor Shëllira,- ua ktheu Qerosi i bezdisur që po pinte vetëm shëllirë.
Rrugës, ndanë një shtëpie, Qerosi ndaloi sërish. Një plak e një plakë po mbanin me duar një qyp të madh me grykën kah dielli.
-ç’po bëni kështu?- i pyeti pasi i përshëndeti.
-Po futim ca diell brenda në qyp që ta çojmë e ta hedhim në shtëpi që të mos mbërdhijmë!
Qerosi ktheu kryet për të pirë një gllënjkë shëllirë. Balta e kuqe e qypit flakëronte nga rrezet brenda.
-Pritni t’ju ndihmoj unë, ta ngrini se i keni hedhur shumë.
E futën qypin në dhomë. Pleqtë e kthyen grykëposhtë.
-Pse s’po del dielli, xhanëm?- dhe tund e shkund qypin.
-A e doni diellin brenda?- i pyeti Qerosi duke pirë dhe një gllënjkë shëllirë.
-Po, besa, aq sa do qorri sy.
Do të ishte më mirë shprehja “aq sa do budallai mend”, tha Qerosi me vete duke çelur një baxhë në çati. Në çast shtëpinë e përmbyti dielli. Pleqtë e vështronin si një magjistar. E uruan dhe e mbushën me dhurata, të cilat, meqë po shkonte në dasmë,
Qerosi i pranoi.
— vazhdon nesër —