skip to Main Content

Qersosi dhe Fshati i Budallenjve – Pjesa e tretë

Në shtëpinë e dasmës, në oborr, dridheshin fletët pemëve nga kënga dhe daullja, në odën e dhëndrit dridhej dhëndri e qante. Qerosi u step një hop: “Qan nusja që del nga shtëpia, jo dhëndri që pret nusen”, qe gati të thoshte, por deshi Zoti u kthjellua, se dhe dasmat këtu ndryshonin nga ato në fshatrat e tjerë. Habisë ia zuri vend një dëshirë e papërmbajtur për te qeshur që ai e mbyti me shëllirë.
-Ç’ka dhëndri që qan?- pyeti duke e sajdisur me dhuratat.
-Qan se ka ndrydhur këmbën- iu përgjigj pikë e vrer shoqëruesi i parë i dhëndrit.
-Qan se nuk i vishen pantallonat ,- sqaroi po aq i dëshpëruar shoqëruesi i dytë.
Vetëm atëherë Qerosi vuri se se dhëndri qe me brekë.
-Pa hë, provoje dhe një herë,- e nxiti Qerosi i kërshëri tur – se jam këmbëmbarë.
-O burra, ta provojmë edhe një herë!- thirri shoqëruesi i parë. -Për pesë minuta nisemi për të marrë nusen!
Dy-tre vetë afruan një shkallë mbështetur për muri; dhëndri u ngrit në shkallaren më të lartë afër tavanit, dy shoqëruesit e tij mbanin pantallonat hapur në fund të shkallës.
– Një, dy, tre. Hidhu!
Dhëndri u lëshua që lart, por këmbët përsëri nuk iu futën në pantallona.
-Olele, olele!- zu ‘të dëneste ca nga dhembja, ca nga sikleti që mbeti me brekë.
-Obobo!- zuri kokën me duar shoqëruesi i parë,- erdhi koha për t’u nisur krushq.
-Po m’i jepni mua pantallonat- tha Qerosi dhe iu afrua dhëndrit.- Pa fute këmbën e djathtë këtu, pa fute këmbën e majtë këtu: ashtuuuuu, çohu në këmbë, ngreji lart pantallonat, mbërtheji me rrip. Tamam. Ja ku u veshën dhe pantallonat!
Burrat ndenjën të nemitur disa çaste, pastaj brofën si me sustë për ta përqafuar e falenderuar.
-Kush je ti, njeri këmbëmbarë?
-Unë jam doktor Shëllira.
-Aman,doktor Shëllira,- iu lutën- do të vish me ne kryekrushk.!Qerosi pranoi. Zaten ai për kureshti pat’ ardhur në fshatin e Budallenjve.
Vajtën, e morën nusen, por hipur në kalë, nusen nuk e nxënte porta. Njëri thoshte “të prishim qemerin e portës”, tjetri thoshte “t’i presim këmbët kalit”.
Qerosi e zuri nusen për krahu dhe i tha:
-Ule kokën kështu, moj motër.
Dhe doli nusja nga porta. Mes haresë së krushqve Qerosi i zbriti kalit dhe u shkëput nga karvani. Ec, ec, qëndron te një livadh ku qenë shtrirë shtatë djem si të lidhur me njëri-tjetrin.
-Ç’po bëni këtu?- i pyeti Qerosi i çuditur.
-Ja, na janë ngatërruar këmbët dhe nuk çohemi dot- tha njeri me një pamje prej viktime.
-Asnjë nga ne nuk e di se cilat janë këmbët e tij- tha një tjetër me një fytyrë për të qarë hallin.
Qerosi e shkundi në gojë faqoren e shëllirës.
Paskëtaj nuk kishte më asnjë gllënjkë.
-Po ju doni të ngriheni?- i pyeti.
-Poo- u përgjigjën të shtatë.
Atëhere ai fshikulloi kamzhikun e kalit që i pat mbetur në dorë e më t’u bie atyre këmbëve: frap!
frap! frap! Ata mblodhën këmbët të lebetitur, u ngritën dhe ia therën vrapit. Zu’ të vraponte dhe
Qerosi, jo pas tyre, drejt urës. Me kokën ulur për të mos parë as majtas, as djathtas. Larg qoftë sikur t’i vinte për të qeshur. Faqorja e shëllirës qe bosh.
E kaloi urën e Llazmonit dhe e mbajti vrapin vetëm kur kishte dalë përtej Fshatit të Budallenjve.