skip to Main Content

Balta shqiptare

1

 

Të dua, Baltë shqiptare!

Të dua:
egërsisht!
dëshpërimisht!
Si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën!

Se gjer mbi gju
jam brenda teje;
se lerë kam
këtu:
si Baba
e Gjyshi.

Të dua, Baltë shqiptare!
se gjer mi bel
e përmbi bel
jam brenda teje –
e s’dal dot,
se s’dua!

Se ti më lidh
e më mban:
Me mjaltë
e me pelin!

Se vdekur ka,
këtu,
dhe Nëna,
dhe Baba,
e Gjysh – stërgjyshi!

Të dua, Baltë shqiptare,
magjistare,
e ëmbël
si vetë vdekja!

Se thellë jam këtu,
brenda teje:
gjer mi gju,
gjer më bel
e gjer mi krye.

Dhe dua fort të dehem
të prehem,
(Ah, që tani! )
brenda teje
Të të pushtoj
i dëshpëruar;
Të të shtrëngoj,
të më shtrëngosh:
egërsisht!
dëshpërimisht!
e të më tretësh
si gjysh – stërgjysh
e si po tret
ah! zemërmadh
e flokë – bardhë
e trup – zhuriturin
Babanë!

Të dua, Baltë shqiptare,
magjistare:
ti mjaltë e ëmbël, –
pelin e hidhur.
Të dua:
egërsisht,
dëshpërimisht,
si ujku pyllin,
si vala valën
si balta baltën!