skip to Main Content

Fragment nga “Mëngjeset në kafe Rostand”, Ismail Kadare

kaferostand

 

Exegi monumentum

Pothuajse njëzëri merret si vjersha e fundit e Pushkinit, ndonëse asgjë nuk e vërteton këtë. Ngjan si e sajuar enkas për vdekjen e poetit, aq sa mund të duket si pjesëmarrëse në të. (Një vrasje që pjell një tekst të tillë, ose një tekst që pjell vrasjen.)
Cila nga të dyja, vdekja apo vjersha, nxitën njëra-tjetrën? Krijohet përshtypja sikur poeti ka rënë në kurthin midis të dyjave, pa ditur cilën të zgjedhë. Më në fund, pas mëdyshjeve, që i ka ditur vetëm ai, i ka ardhur keq të flijojë njërën, ndaj i ka pranuar të dyja.
Kishte mundësi ta shmangte dyluftimin fatal? Plotësisht. Mjaftonte të mos e kërkonte dhe dyluftimi s’do të bëhej kurrë. Dhe ai do të mbetej gjallë për aq vite të tjera sa ç’kishte jetuar.
Mirëpo ai e kishte nisur ndërkaq vjershën epilogale dhe gati-gati i vinte keq ta linte përgjysmë…