skip to Main Content

Luani, Ujku dhe Dhelpra

kokona

Një luan, në moshë i thyer,

Mjekim desh për pleqërinë;
Kush ësht burrë t’i thotë mbretit
Se s’ia kthen dot rininë?
Nisi plot ambasadorë
Anembanë mbretërisë,
Erdhën shumë e shumë doktorë
Shërim ti gjenin pleqërisë;
Dhe secili me të shpejtë
Me respekt i dha recetë.
Veç dhelpra e gjykoi të udhës dhe plot urti
Të rrinte mbyllur në shtëpi.
Ujku, për t’i pëlqyer mbretit,
Flet keq për shokun që mungon;
Aherë mbreti urdhëron
Nga strofka dhelprën që ta nxjerrin.
Dhelpra vjen dhe e di se sherrin
Ia bëri ujku dallkauk.
“O madhëri, – i thotë, – vonesën
Time keq jua kanë shpjeguar:
Për këtë shërimin tuaj
Unë u nisa për haxhillëk.
Gjatë udhëtimit tim shumë gjëra
Unë kam parë e dëgjuar:
Me dijetarë kam kuvenduar
Sëmundjen tuaj u kam shpjeguar,
Që madhëria juaj vetë
Ia keni frikën me të drejtë.
Ata më thanë me një gojë:
Për ngrohtësi keni nevojë;
Afshin e trupit jua ka shuar
Pleqëria e mallkuar;
Me lëkurën e një ujku,
Që sapo të jetë rrjepur,
Trupin keni për ta veshur.
Afshi i saj do t’ju shërojë,
Si dikur do t’ju rinojë.”
Mbretit i pëlqeu kjo fjalë;
Ujkun shpejt rrjepin të gjallë,
Me lëkurën ja mbështjellin
Trupin si me peshtamall.

O zotërinj oborrtarë,
Dallkaukë e lajkatarë,
Dijeni se në një garë
Jeni hedhur për t’ia bërë
Shokut varrë.