Pasi u deshëm atje
Si një kujtim prej peme,
si zemërim zemre,
fl okët e tu në erë shkapërdarë,
duart e tua në ajër duke qarë.
Karshi, krejt përkarshi vije dje dhe nesër.
As arrinte perëndimi, as pushonin dënesjet…
Një vijë e drejtë ne qemë
gjatë aq sa sheh syri,
të lirë në largësi,
plot frikë për t’u afruar,
se nuk ishim vetë ne, por ishin shëmbëllimi
i krijesave më të dëlira që ndjenja ka krijuar.
Kështu shumë kohë u pamë
n’Ahiret e përtejme
ku s’kishte as shtëpi, as përbetime,
ku s’kishte më asnjë fuqi mbi ne,
përveç një dhembshurie.
Dhe pasi u deshëm atje të dehur dhe të zgjuar,
u kthyem për të vdekur edhe njëherë këtu,
në një mënyrë të zakonshme dhe të paduruar,
të mbyllur jo në sy, porse në dru.
Prec Zogaj