Tregu vjetor i librit
“Ali Pasha, krime famëkeqe”, sipas shtëpisë botuese “Saras” ishte libri më i shitur në panairin e librit. Për botimet UET, më i kërkuari ishte botimi i fundit i gazetarit Blendi Fevziu, mbi mbretin Zog, ndërsa për “Pegi”-n, klasiku i Brontë-s, “Xhejn Er”, ishte në fakt më i kërkuari.
Pavarësisht këtyre pretendimeve – tek e fundit çdo biznes ka të drejtë të mbrojë produktin e vet dhe panairi i librit është biznes – e rëndësishme është që të tre këta libra – dhe jo vetëm – tërhoqën vëmendjen e lexuesit.
I pari i cituar në këtë shkrim është shkruar nga një shkrimtar i njohur francez mbi një figurë të shquar të historisë sonë dhe është normale të tërheqë vëmendjen.
Ndërkohë, nuk është çudi që librat e shkruar nga Fevziu, qoftë edhe intervista, falë edhe marketimit, “të bëjnë namin” gjatë ditëve të panairit.
Fjalët janë të tepërta për “Xhejn Er”, një klasik i munguar deri tani në gjuhën shqipe.
I solla këta tituj thjesht si shembuj, pasi jam e sigurt që dhjetëra të tjerë mund të kenë pasur të njëjtin sukses – mbase edhe më tepër.
E rëndësishme për mua, si dashamirëse e librit, në radhë të parë është tërheqja e lexuesit dhe, nga aq sa pashë gjatë ditëve të panairit, fatmirësisht njerëzit vazhdojnë të blejnë libra.
Sigurisht që nuk mund të jem indiferente edhe ndaj librave që pëlqehen më tepër, por kjo është një temë tjetër dhe mbi të gjitha mendimi im është tërësisht subjektiv. (Kush jam unë, tek e fundit, që të pretendoj se shijet e mia janë më të mirat?)
Deri këtu, pra te tërheqja e publikut drejt panairit, si vëzhgues dhe blerës, mund të them me bindje se panairi pati sukses të plotë.
Problemi me panairin e librit, sipas meje, vazhdon të mbetet organizimi. Dhe në fakt ky nuk është vetëm mendimi im. Gjatë këtyre ditëve dëgjoja njerëz që e cilësonin si treg fruta-perimesh, madje edhe më keq, si “rrobat te gabi”. Sinqerisht më vjen keq kur dëgjoj krahasime të tilla, e megjithatë në hollin e Pallatit të Kongreseve, tezgat e rreshtuara të shtëpive botuese nuk të japin shansin për të krijuar një panoramë tjetër.
Panairi i librit në Tiranë vazhdon të mbetet thjesht si një treg i madh, ku në rastin më të mirë mund të blesh një produkt me 20 për qind ulje. Maksimumi bëhet ndonjë promovim i shpejtë libri dhe ndonjë autor që jep autografe në librat e vet (të paktën, për këtë të fundit, shkrimtari më i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është gjithmonë i pranishëm në panair). Nuk ka diskutime mbi letërsinë, mbi përkthimet, “klubi i lexuesit” mungon fare si nocion…
E megjithatë, një të mirë e pati organizimi i këtij viti, nuk pati rrezik zjarri nga skarat e qofteve në hyrje…
Elona Qose