skip to Main Content

Vdis vdekjen

niti9
Vrit
Vrau
Vranë
Vrit se të vrau
Vdekje vill…
Viktima e vrasës
Vorbull varresh vajtojnë…
Victory…Victory
i varrosëm të vrarët
luft’ e re le t’fillojë…….
E ç’rëndësi paskan sistemet,
demokracitë e diktaturat, ideologjitë, filozofitë,
fetë dhe qytetërimet, të drejtat e njeriut dhe torturat
e dokrra të tjera si këto
për sa kohë që në drit’ të diellit
e njerëzimit më e vjetra lojë është lufta
e fëmijës, arma më e dashura lodër….
Nga gishtërinjtë tanë V-në rrëmbejnë patat e egra
fitoren e Vdekjes për të vizatuar pafajësisht në prehrin e qiellit…
Kur linde, një revolver lodër të dhuruan,
kukulla shënjestra jote e parë,
pastaj me radhë nëna, motra…
Në shkollë mësove se prindërit e tu ishin të pazotë…
Të qifsha robt, baba! Të mbron shteti,- të thanë…
se shteti është më i fortë…
Dashuria është shpikje e humbarakëve,
të lexuarit humbje kohe
drogë, seks dhe hip hop të rekomanduan,
kukullën pa brekë të lirisë në vitrin’ të kohës,
atdheun në versionin gay
dhe trushplarje arrogante në ekran….
Të njëzetat të gjetën duke luajtur videogames
ku njerëz kokërruar vrisnin njerëz me mjekër,
një jetë të tërë nuk dashurove dot asgjë,
kurrë s’ të dhanë dashuri,
ndaj nuk munde kurrë të jepje…
Kurrë nuk të folën për miqësinë,
por se kush është armiku ta mësuan fort mirë…
Të testuan nëse kishe mjaftueshëm urrejtje,
të dhanë një lodër të vërtetë plot tym e zjarr,
një armë dhe një armik.
Në avionët e mëdhenj të hipën
dhe larg…shumë larg të çuan,
të gatshëm, plot dëshirë,
për të mbrojtur interesat e atdheut të tyre
në atdheun e një tjetri…
Ka nevojë vërtet për një revolucion
pa barrikada, pa ideologë, pa teori konspiracioni
pa banka e bankierë, pa ushtri dhe drones
pa iluminitati dhe globalizëm, pa sheikë dhe shejlokë,
pa kapitale dhe marksizëm, pa Napoleonë dhe Leninë,
pa Stalinë dhe Enverë,Çurçillër dhe Hitlerë
Bushër e masonë, Obama e Osama,
hossana…osbama…të së djeshmes e së tashmes…
Ka nevojë vërtet për një revolucion,
pa gjak dhe pa armë, pa bibla e kuranë
por veç me një abetare që fillon te germa D
dhe me fjalën e dashurisë në familjen tënde
në emër të fëmijës tënd…
për të…
me të…
filloje që sonte me aq dije sa ke
dhe për të parën herë lutju një Zoti,
një Zoti të ndryshëm, një Zoti të pafe…
© artangjyzelhasani