skip to Main Content

Historia e adhurueshme e letrave për babagjyshin e Vitit të Ri

babagjyshi
Tradita e dërgimit të letrave për Santa Klausin ose, siç e quajmë ne, Babagjyshi i vitit të Ri, nuk është shumë e hershme.
Shën Nikolasi – nga e ka marrë emrin babagjyshi – ishte një shenjt grek i shekullit të tretë, por vetëm në vitin 1823, Santa Klaus u shndërrua në personazhin që njohim sot.  Kjo ndodhi kur u botua poema “Një vizitë nga Shën Nikolasi”, e njohur më mirë si “Nata para Krishtlindjes”. Edhe pse u botua në mënyrë anonime, mendohet se poema u shkrua nga  Clement Clark Moore. Që atëherë, imazhi i Santa Klaus si një burrë i shëndoshë, me mjekër të bardhë dhe kostum të kuq, që fluturon me drerët e tij, është mbërthyer në imagjinatën tonë.
 Letra më e famshme e shkruar për babagjyshin e Vitit të Ri është ajo e një vajze 8-vjeçare, Virginia, e botuar në “New York Sun” në vitin 1897:

“I dashur editor,
Unë jam Virginia, jam 8 vjeçe.
Disa nga shokët e mi thonë që Santa nuk ekziston. Por babi më thotë që nëse e lexoj një gjë të tillë në gazetën tuaj, atëherë është e vërtetë,
Të lutem më thuaj të vërtetën. A ekziston Santa Klaus?”
 Në përgjigjen e tij për vajzën e vogël, editori i gazetës shkroi: “Po Virginia, Santa Klaus ekziston”. Më pas, editori shkroi se magjia e Krishtlindjes është brenda çdo njeriu gjatë gjithë kohës.
 Është mirë kur e ke babain shkrimtar. Këtë e ka ditur mirë Susie Clemens, e bija e të famshmit Mark Tuein.
 Ky i fundit i shkroi të bijës një letër të cilën e dërgoi si Santa Klaus – babagjyshi i Vitit të Ri.
 “E dashur, Susie Clemens,
I kam marrë dhe i kam lexuar të gjitha letrat që ti bashkë me motrën e vogël më keni dërguar. Mund t’i lexoj pa problem shënimet e tua fantastike, por kam vështirësi në leximin e atyre letrave që ia ke diktuar nënës tënde, sepse jam i huaj dhe nuk e kuptoj mirë anglishten. Do ta kuptosh se nuk kam bërë asnjë gabim me gjërat që ti dhe motra jote keni kërkuar në letrat tuaja  – në mesnatë, kur ju ishin në gjumë, unë zbrita nga oxhaku dhe jua solla dhe gjithashtu ju putha të dyjave. Por nja dy gjëra të vogla nuk jua solla dot, sepse më mbaruan.Kishte diçka të shkruar në letrën e nënës tuaj, për një sënduk plot me rroba për kukulla. Do të trokas në derën e kuzhinës në orën 9.00 të mëngjesit, por nuk duhet të më shohë njeri dhe do të flas vetëm me ty….
Mirupafshim për pak minuta, derisa të zbres në këtë botë dhe t’i bie derës së kuzhinës.
 Me dashuri,
Santa Klaus, që njerëzit ndonjëherë e quajnë “Njeriu në Hënë”.
Elona  Qose