skip to Main Content

Letërsia e Ben Blushit në korridoret europiane

benblushi

Në eventin e organizuar nga Bashkimi Europian, me rastin e marrjes së çmimit Europian për Letërsinë nga autori Ben Blushi, ishin të pranishëm të ftuar si Diana Culi, Maks Velo, Petrit Ymeri dhe mjaft gazetarë të medias së shkruar, të cilët nderuan edhe një herë autorin për marrjen e këtij çmimi.

“Është paksa i pazakontë për mua ky event, pasi duket sikur po ftoj miqtë në gosti për një prurje të vjetër.” Ishin këto fjalët e Ben Blushit, në hapje të eventit të organizuar mbrëmë nga Bashkimi Europian, me rastin e marrjes së çmimit Europian të Letërsisë, për vitin 2014, në kuadër të projektit Creative Europe. Në një atmosferë të ngrohtë koktejli dhe verërash, mes miqsh, artdashësish e emrave të njohur të fushës së gazetarisë dhe letrave, secili nga pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të këtij rrugëtimi, ishte gjithashtu i pranishëm në një nga book- baret më të frekuentuara të Tiranës. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua këtë vit, në Panairin e Librit në Frankfurt.

Së bashku me 12 autorë të ndryshëm nga e gjithë Europa, Ben Blushi arriti të triumfonte duke u përzgjedhur për librin e tij “Otello, Arapi i Vlorës”, e duke krijuar kështu një urë lidhëse të rëndësishme mes letërsisë shqiptare dhe asaj europiane. Fjalën e hapjes së eventit të organizuar me rastin e çmimit, e mbajti z. Petrit Ymeri, i cili ishte edhe pjesë e jurisë që përzgjodhi këtë autor nga vendi ynë, e më pas znj. Valbona Nathanaili, redaktore dhe drejtore e shtëpisë botuese të “Otello, Arapi i Vlorës”. Z. Ymeri u shpreh mjaft i kënaqur për këtë çmim dhe i sigurtë për faktin se autori Ben Blushi kishte gjithë potencialin dhe talentin e nevojshëm për ta përfaqësuar denjësisht vendin tonë dhe këtë çmim. Ai gjithashtu u shpreh i sigurtë, se autori ishte ndjeshëm me cilësi më të lartë krahasuar me autorë nga vendet e tjera, që gjithashtu morën këtë çmim.

Shoqata e Botuesve zgjodhi autorin Blushi, si një përfaqësues që jo vetëm ka ditur të bëjë letërsi cilësore por edhe të jetë një njohës par excellence i korridoreve të politikës europiane. Sipas z. Ymeri, është shumë i rëndësishëm afirmimi i letërsisë shqiptare në Europë dhe marrja e këtij çmimi ishte hapi i parë për të shkuar përpara në këtë drejtim. “Fakti që ka pasur kërkesa për përkthim të veprës së Blushit në më shumë se 10 gjuhë tregon se libri ka vlera, krahas çmimit që e promovoi.”

“Edhe Otello im si Otello i Shekspirit vdes në fund, veçse Otello im është më i dashur.” u shpreh z. Blushi. Sipas tij, në rastin e vendeve të vogla, kryesisht atyre të Ballkanit, ky çmim është një mundësi e mirë për të kapërcyer në një “breg” tjetër. Edhe pse Ballkani ka në përgjithësi letërsi të mirë, si kudo, kjo e fundit po humbet paksa, ndoshta për faktin se popujt janë më të lirë se më përpara. Nisur prej këtij fakti, ai shtoi se shoqëria shqiptare ka jo pak probleme, e për këtë arsye letërsia duhet të gjindet dhe të jetë cilësore. “Përmes një letërsie cilësore mund të eksportojmë demokracinë në ato vende ku ajo mungon.” tha në mbyllje Blushi.

Marrë nga www.infokult.al

Nga Silvi Bakiri