skip to Main Content

Pjesë nga “Aventurat e Tom Sojerit” – Mark Twain

tomsojeri

Pikërisht në këtë kohë ajo dëgjoi për ilacin e ri “Shërimtari”. Porositi menjëherë një arkëplot. E provoi pakëz vetë dhe iu kënaq zemra. Ishte një lëng që të ndizte flakë, një zjarr i gjallë. Banjat dhe kurat e tjera u ndaluan në cast. Që tani e tutje ajo e lidhi fatin me “Shërimtarin”. I dha Tomit një lugë kafeje dhe priti në ankth efektin. Dhe ja ku më në fund morën fund meraqet e saj, ja ku i ra shpirti në paqe, ja ku u thye indiferenca e djalit. Edhe flakën t’i kishte vënë atij nën vete, nuk do të gjallërohej e nuk do të shkundej më tepër.

Tomi e ndiente se kishte ardhur koha të përmendej e të hapte sytë. Kjo jetë e përvuajtur mund të kishte edhe castet e veta romantike, por eksperimentet sikur po shtoheshin shumë në kurriz të ndjenjave. Ai nisi pra të kërkonte rrethana lehtësuese dhe rrugëdalje, ndaj u hoq sikur “Shërimtari” i pëlqeu fort. Aq shpesh po e kërkonte tani, saqë u bë i mërzitshëm dhe një ditë tezja i tha ta linte rehat dhe ta merrte ilacin vetë sa herë të kishte qejf. Po të kishte qënë Sidi në vend të tij, ajo do të fluturonte nga gëzimi, pa asnjë prapamendim, por me Tomin i duhej ta vëzhgonte shishen fshehurazi. Vuri re që ilaci po pakësohej vërtet, por as që i shkoi në mendje se ndërkohë me të ishte duke u mjekuar një vrimë në dyshemenë e dhomës së Tomit.

Një ditë, ndërsa ai po i jepte dyshemesë dozën e zakonshme, erdhi e iu afrua duke angullitur macoku verdhash i tezes, ia nguli sytë lugës së kafesë dhe i kërkoi haptazi që të ngjëronte pakëz. Tomi i tha: – Shiko, Piter, në qoftë se nuk e ke me qejf, mos kërko kot.
Por Piteri dha të kuptonte se ia kishte ënda.
– A je i sigurt?
Piteri ishte më se i sigurt.
– Vetë kërkove dhe unë s’ta prish, se nuk jam i lig; ama po s’të pëlqeu, pac veten më qafë.
Piteri ra dakord me këto kushte. Atëherë Tomi ia hapi gojën dhe i derdhi “Shërimtarin” në gurmaz. Aty për aty Piteri kërceu dy-tre metra përpjetë, ia dha një vikame indianësh dhe morri vrapin rreth e qark dhomës, duke u përplasur pas orendive, duke përmbysur vazo lulesh e duke bërë gjithcka lesh e li. Pastaj u ngrit mbi këmbët e pasme dhe zuri të vinte lart e poshtënme gëzimin e një të marri, me ca klithma që tregonin lumturi të pacak. Një sekondë më vonë ai po maste shtëpinë pëllëmbë më pëllëmbë, duke mbjellë nga pas vetëm shkatërrim e zullume. Teto Polli e gjeti në mes të ca kotollumbave dyshe që përfundonin me një turravrap shigjetë e me një fluturim përmes dritares së hapur, të pasuar me rrokullisjen e vazove të fundit. Zonja plakë shtangu në vend si e ngrirë dhe zgurdulloi sytë që përmbi gjyzlykë, kurse Tomi, shtrirë në dysheme, mbante barkun me dorë nga të qeshurit.
– Tomi, c’e ka gjetur macokun?
– Ku e di unë, teto, – gulcoi ai.
– S’ka bërë ndonjëherë vaki kështu. C’pati ai, ë?
– Të betohem që s’di gjë teto Poli; po kështu e kanë zakon macet kur janë në qejf.
– Vërtet, a thua? – Kjo pyetje sikur nuk i tingëlloi mirë Tomit.
– Vërtet ashtu bëjnë.
– Pa shih, pa shih!
Zonja plakë tani ishte përkulur përballë Tomit, që po e vërente me frikë. Me vonesë ia kuptoi “lojën” asaj. Nën perden mbi krevat dallohen bishti i lugës së kafesë, që s’linte më shteg dyshimi. Teto Poli e mori lugën në dorë dhe e coi lart me kërcënim. Tomi uli sytë i dorëzuar. Teto Poli e ngriti në këmbë me anë të levës së zakonshme, d.m.th. veshit, pastaj ia hoqi një të mirë me gizhtëzën e qëndisjes.
– Pa na thuaj pak, zotëri, c’të bëri kafsha e varfër që i bie ashtu më qafë?
– Ia dhashë ilacin, sepse më erdhi keq…, sepse ai s’ka teze.
– S’ka teze? C’ka të bëjë kjo, mor mendjefyckë?
– Shumë ka të bëjë. Sikur mcja të kishte teze, ajo do t’ja përvëlonte vetë gurmazin! Ajo do t’ia bënte zorrët përshesh, musi të kishte qënë njeri e jo mace.

Befas teto Polin e sëmboi pendimi. Këto fjalë sikur e bënë esëll. Sic tregohesh me macen i pashpirt, mund të tregohesh edhe me kalamanin, mendoi me vete. Zemra erdhi e iu zbut dhe tani po i dhimbsej djali. Iu lëngëzuan pakëz sytë dhe i vuri Tomit dorën mbi kokë.
– Unë për të mirën tënde e kisha, Tom – tha ajo me zë të ëmbël, – dhe ilaci vërtet të bëri mirë.
Tomi ngriti kokën ta vështronte tezen e në sy, midis zymtësisë, i ndriti një xixë.
– E di, teto, që për të mirën time e kishe. Edhe unë për të mirën e Piterit e kisha. Dhe i bëri vërtet mirë, e pe vetë si hovte nga gëzimi…