skip to Main Content

Puthmë, moj e dashur puthmë!

fund

Puthmë, moj e dashur, puthmë,
Gjer në dhimbje, gjer në gjak,
S’e duron dot ftohtësirën
Zemër e ndezur zjarr e flakë.

S’është kupa e përmbysur
Mes gazmorëve për ne,
Ti një gjë kupto, moj mike,
Veç një herë rron mbi dhe.

Shih në mes të errësirë
Hënën që shkëlqim vërshon,
Sikur t’ish një korb i verdhë
Përmbi tokë fluturon.

Puthmë de se kalbësia
Këngën time ma këndoi,
Ka të ngjarë qielli lart
Fundin tim parashikoi.

Eh, moj forcë që venitesh,
Do të vdes, kjo s’ka dyshim,
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët gjer në fundin tim.

Që pa turp edhe pa drojtje
Ëmbëlsisht kur t’ëndërroj,
Tok me shushurima vishnjesh
“Jam e jotja” – të jehoje.

Që si shkuma përmbi kupë
Drita mos t’na shuhet ne,
Ndaj këndo, moj mikja ime,
Veç një herë rron mbi dhe.