133 vjet nga lindja e eruditit shqiptar
Në 6 janar 1882, në Ibrik Tepe, Edrene, Turqi, lindi shkrimtari i njohur Fan Noli.
Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog, Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.
Në vitin 1904, Noli shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit.
Në atë kohë ai përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.
Në vitin 1907 u vendos në Amerikë, ku krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.
Në 9 shkurt të vitit 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston.
Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Nga viti 1909 deri më 1911-n Noli botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912-n Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës.
Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938-n, mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.
Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.
Në vitin 1921, Noli botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.
Vepra e parë e Nolit ishte drama me tre-akte “Israilitë dhe filistinë”, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë e shkruar qysh më 1902-shin është bazuar në historinë e Samsonit dhe Delajlas në Dhiatën e Vjetër.
Vëllimi i tij me vjersha, “Albumi”, u botua më 1948-n. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.
Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.