Ismail Kadare nderohet me çmimin “Jerusalemi” për vitin 2015
Ismail Kadare ka fituar çmimin “Jerusalemi” për vitin 2015. Çmimi do t’i dorëzohet në hapje të Panairit
Ndërkombëtar të Librit muajin e ardhshëm në Jerusalem. Gazeta “Haaretz”, në një shkrim mbi shkrimtarin tonë, thekson se Kadare i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij. Librat e përkthyer në hebraisht të autorit janë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Viti i mbrapshtë”, “Pasardhësi”, “Prilli i thyer”, “Piramida”, “Dasma”.
“Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant, që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mosndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale,” – thuhet në motivacionin e çmimit.
Panairi ndërkombëtar i librit në Jerusalem do të hapet më 8 shkurt dhe do të zgjasë pesë ditë. Panairi i parë u mbajt në Jerusalem në vitin 1963 dhe zhvillohet çdo dy vjet si një ngjarje unike ndërkombëtare që tërheq qindra botues nga shumë vende.