skip to Main Content

Libra të dashur të refuzuar nga botuesit

libra te refuzuar

Falë Zotit ka autorë këmbëngulës dhe botues të guximshëm! Këtë do thoshte çdo dashamirës i librit po të mësonte se disa nga veprat tashmë klasike mund të mos e kishin parë dritën e botimit. Arsyeja:  ishin shumë të ndryshëm.

Të gjithë fansat e fenomenit të dekadës së fundit, Harri Poter, e njohin historinë e autores J.K. Rowling dhe varfërisë së saj. Vetë autorja pretendon se ka shkruar disa kopje me dorë pasi nuk kishte mundësi të bënte fotokopje. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shumë botues e kthyen dorëshkrimin e librit të parë, “Harri Poter dhe guri filozofal” me arsyetimin se ishte shumë i gjatë për fëmijët.

Kur shkroi librin alegorik “Ferma e kafshëve”, Xhorxh Oruell ishte bërë i njohur si shkrimtar. E megjithatë, shumë botues hezitonin të botonin një vepër me përmbajtje të tillë, një alegori e pastër politike. Edhe T.S.Eliot, që në atë kohë drejtonte shtëpinë botuese “Faber and Faber”, nuk e pëlqeu veprën tashmë klasike jo se i mungonte cilësia, por sepse ishte shumë kritike ndaj Stalinit.

Nga ana tjetër, amerikanët nuk ishin shumë të shqetësuar për pjesën politike, por e refuzuan disa herë librin për arsye të tjera: mesa duket,  nuk kishte hapësirë për histori me kafshë në  tregun e kohës!

“Të vrasësh zogën përqeshës” nga Harper Lee po refuzohej fillimisht nga botuesit. Lee u mërzit kaq shumë me punën e saj, sa mendohet se i flaku faqet që kishte shkruar. Agjenti i saj, të cilin ia kishte rekomanduar Truman Kapote, e detyroi ta mbaronte dorëshkrimin, që më në fund u botua.

“Carrie” nuk ishte libri i parë i Stephen King (në fakt ishte i katërti), por ishte libri i parë që i botohej. Vetë ai e ka quajtur “një libër  i ri i shkruar nga një autor i ri). Pas vështirësive që hasi për botim, King tha: “Në fakt, kush do të donte të lexonte një libër për një vajzë të varfër me problem menstruale?” Suksesi i librit i ka dhënë përgjigje.

“Ditari i një vajze të re” nga Anne Frank për pak nuk  u botua për një numër arsyesh të kuptueshme. Ajo dhe familja e saj jetuan të fshehur në Amsterdam dhe ditari   i saj i përket pikërisht kësaj kohe. Babai i Anës ishte i vetmi nga familja që i mbijetoi Holokaustit dhe fillimisht mendoi të hiqte disa pjesë nga ditari. Më vonë, ai i lejoi disa botues të interesuar ta botonin të plotë.