Për suedezët, Kadare është “Kafka” shqiptar
Tre romane të Ismail Kadaresë botohen në suedisht. Kronikë në gur”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Dimri i madh”, janë botuar së fundmi nga shtëpia botuese “Modernista”. Gazeta suedeze “Helsingborgs Dagblad” botoi një shkrim me titull “Kafka shqiptar”, duke vënë në qendër të analizës tre romanet e shkrimtarit që tashmë gjenden edhe në suedisht.
“Kronikë në gur” është një prej romaneve më të hershëm e më të njohur të Ismail Kadaresë.
“Dimri i madh” cilësohet nga shtypi suedez si pasqyra më e qartë në lidhje me historinë komuniste të Shqipërisë. Romani 600-faqësh konsiderohet “mbresëlënës”, sidomos në mënyrën se si shkrimtari ndërton karaktere nga shtresa të ndryshme shoqërore.
Në parathënien e librit, Ekis Ekman shprehet se “Dimri i madh” nuk është thjesht një libër për komunizmin, por se ai mund të lexohet edhe si një raport i përditshmërisë, që të bën të ndihesh sikur je atje. Sipas tij, romani thotë të vërtetën mbi Shqipërinë komuniste. Këtë e bën në një mënyrë të sinqertë dhe lexuesi e kupton këtë në mes të rreshtave.
Më mjeshtëror konsiderohet stili i Kadaresë te “Pallati i ëndrrave”, një version komik i Perandorisë Osmane.