skip to Main Content

Rihetim për vdekjen e Pablo Nerudës

3136926-4f6c7104a3d2f3262bb3df7be9411dfc981898b9-s6-c10
Vdekja e poetit të famshëm Pablo Neruda në vitin 1973 do të rihetohet. Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet kiliane, pasi, sipas zëdhënësit të qeverisë,  ka të dhëna se poeti mund të jetë helmuar.
Analizat e bëra në 2013 pas zhvarrosjes së trupit të tij nuk treguan gjurmë helmi, por tashmë është vendosur të kryen teste më të specifikuara. Certifikata e tij e vdekjes thotë se Neruda vdiq nga kanceri i prostatës. Poeti kilian vdiq 12 ditë pas grushtit ushtarak që solli gjeneralin Augusto Pinochet në pushtet.
Edhe pse ishte i njohur mirë për poezinë e tij, Neruda ishte anëtar i përjetshëm i Partisë Komuniste të Kilit, deputet dhe ish-ambasador në Francë. Ai fitoi çmimin Nobel në letërsi në 1971.
Zyrtarët kilianë deklaruan se testet e reja të mjekësisë ligjore mbi eshtrat e Nerudës do të kërkojnë për metale inorganike, në përpjekje për të përcaktuar shkakun e drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë të vdekjes të tij.
Hetimi do të fokusohet në zbulimin nëse përbërës kimikë kanë shkaktuar ndonjë dëm qelizor ose të proteinave në trupin e Nerudës. Kurse analizat e kryera në 2013-n u përqendruan vetëm në gjurmët e helmit.
Trupi i Nerudës u zhvarros në prill 2013 për të kuptuar nëse ai u nda nga jeta nga helmimi, pasi shoferi i tij Manuel Araya dhe të tjerë kishin dyshime për vdekjen e tij. Araya tha se e kishte dërguar 69-vjeccarin në spitalin e Santiagos, pasi kishte problem me stomakun.
Tashmë besohet se Nerudën e helmuan pasi ishte mbështetës i patundur i presidentit të rrëzuar Salvador Allende dhe mendohej se ai do të bëhej lider i opozitës ndaj diktaturës.