skip to Main Content

Tri romane të Kadaresë botohen në suedisht

Panairi-librit-270x230
Tri nga kryeveprat e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, botohen në gjuhën suedeze. Shtëpia botuese
“Modernista” boton romanet “Dimri i madh”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Kronikë në gur”.
Gazeta suedeze “Expressen” i ka kushtuar hapësirë krijimtarisë së shkrimtarit tonë. Sipas “Expressen”, tashmë nuk janë më vendet e mëdha europiane që kanë monopolin e suksesit të veprave dhe të shkrimtarëve të mëdhenj. Shembuj janë veçanërisht shkrimtarët aziatikë, të cilët po pushtojnë letërsinë botërore, si dhe po kryesojnë listat e kandidatëve të çmimit “Nobel”. Ismail Kadare, siç shkruan gazeta, vjen nga një vend i vogël si Shqipëria, por prej vitesh është një nga kandidatët kryesorë për “Nobelin” në letërsi.
“Expressen” ndalet më gjatë te romani “Dimri i madh”, të cilin e quan si pasqyrën më të qartë në lidhje me historinë komuniste të Shqipërisë. Ai vendoset në një nga pikat më kritike të kthesës, në vitin 1961, kur lideri i vendit Enver Hoxha u prish me Bashkimin Sovjetik dhe Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Romani 600­faqësh konsiderohet “mbresëlënës”,
sidomos në mënyrën se si shkrimtari ndërton karaktere nga shtresa të ndryshme shoqërore.
Në parathënien e librit, Ekis Ekman shprehet se “Dimri i madh” nuk është thjesht një libër për komunizmin, por se ai mund të lexohet edhe si një raport i përditshmërisë, që të bën të ndihesh sikur je atje. Sipas tij, romani thotë të vërtetën mbi Shqipërinë komuniste. Këtë e bën në një mënyrë të sinqertë dhe lexuesi e kupton këtë në mes të rreshtave.
Më mjeshtëror konsiderohet stili i Kadaresë te “Pallati i ëndrrave”, që “Expressen” e quan një version komik të Perandorisë Osmane, por lexuesi mund ta konsiderojë edhe si një alegori të sistemit të korruptuar komunist.
Sipas gazetës suedeze, librat e Kadaresë janë një dritare për botën.