skip to Main Content

Kur romanet dominojnë në “Oscar”-s

Adaptimi i një libri në ekranin e madh nuk ka qenë kurrë i lehtë, pjesërisht për shkak të fansave gjithmonë skeptikë.
Disa libra në veçanti janë shumë të vështirë të përshtatet në filma dhe ata që guxojnë ta bëjnë më së shumti dështojnë.
Nuk është ky rasti i filmave të shfaqur së fundmi e të vlerësuar nga kritika dhe publiku.
 
Dje ishte nata më e madhe e kinematografisë në Hollivud, ndarja e çmimeve “Oscar”. Dhe këtë vit, shumë prej të kandiduarve për këtë çmim ishin filma të mbështetur në libra: “Snajperi amerikan” është mbështetur mbi një novelë me të njëjtin titull; “Teoria e gjithçkaje” është mbështetur në kujtimet e Jane Haëking; biografia e Alan Turing ishte baza mbi të cilën u bë skenari i filmit “Loja e imitimit”; “Vajza e zhdukur”, para se të bëhej film dhe të merrte edhe një kandidaturë për aktoren protagoniste, ishte një fenomen global, me miliona kopje të shitura.  
Disa nga fituesit e çmimeve “Oscar” në të kaluarën e kishin origjinën nga librat, çka do të thotë se kur regjisorët punojnë mirë, filmat ndonjëherë janë më interesantë dhe të suksesshëm se librat mbi të cilët janë mbështetur. “Kumbari” është mbase rasti më i shkëlqyer i transformimit të një libri brilant në një film po aq brilant. Filmi i vitit 1972 fitoi tre çmime  “Oscar”.
Një tjetër shembull po aq i suksesshëm është filmi i vitit 1993, “Lista e Shindlerit”, mbështetur në librin e Thomas Keneally, “Arka e Shindlerit”.
Ndonjëherë, filmi i kthen njerëzit nga libri. Shembulli më i mirë është filmi “Pasardhësit”. I shkruar nga autori Kaui Hart Hemmings, libri nuk pati sukses. Pas shfaqjes së filmit të drejtuar dhe luajtur nga George Clooney, libri u shit në miliona kopje.  
Klasikët më së shumti kanë pasur sukses në adaptimet në kinema. “Bashkë me erën”, “Lartësi të stuhishme”, “Rebeka” janë shpërblyer me çmime.
Një nga librat më të “rrezikshëm” për t’u adaptuar ka qenë padyshim “Mbreti i unazave”, por që ia vlejti për regjisorin Peter Jackson, pasi pjesa e fundit e filmit u vlerësua me 11 statuja “Oscar”.  
Ndonjëherë edhe një histori e shkurtër, e vogël, mjafton për të bërë një film të madh, thjesht duhet të ketë fjalët e duhura.