Seria e Harri Poter – më e famshmja në Facebook
Para disa javësh vura re se në Facebook qarkullonte një status, që u përhap në të gjithë botën: “10 librat që kanë ndikuar në formimin tuaj”. Asnjëherë nuk kam ditur t’i përgjigjem pyetjes se cili është shkrimtari im i preferuar e kësisoj zgjedhja e vetëm 10 veprave për mua ishte mision i pamundur. Nga një kërkim i thjeshtë pashë se mijëra njerëz në të gjithë botën – dhe mbi të gjitha edhe shumë miq të mi – kishin nisur listimin e librave të parapëlqyer. Meqë administroj edhe një faqe që merret ekskluzivisht me librin ishte e natyrshme të shkruaja për këtë nismë, ndaj, bëra, ç’bëra u kandisa të rendisja 10 tituj. Dhe, për habinë time, nuk doli aq e vështirë sa kisha menduar. Shkrova shpejt, pa u menduar, titujt e atyre librave që, në periudha të caktuara, kanë lënë shenjë tek unë; jo domosdoshmërisht librat më të mirë që kam lexuar ndonjëherë.
Të njëjtën gjë bënë edhe dhjetëra ndjekës në Facebook.
Ishte interesante të lexoje preferencat e secilit. Disa libra, në fakt, janë kaq të njohur dhe të dashur sa i kam lexuar në shumë përzgjedhje; Kadare nga shkrimtarët vendas dhe Shekspiri e Markezi nga ata të huaj kanë qenë shkrimtarët më të përmendur në listat “shqiptare”.
E shtyrë nga kurioziteti kërkova titujt më të përmendur nga përdoruesit e Facebook-ut, pjesëmarrës në këtë “lojë”.
Rreth 130 mijë statuse të përdoruesve të këtij rrjeti social në të gjithë botën ishin analizuar nga ekipi i Facebook-ut, duke i renditur në bazë të popullaritetit. Lista përfundimtare është interesante: nuk mungojnë klasikët, por ka vend edhe për fiksionin bashkëkohor.
Libri më i përmendur në Facebook nuk më erdhi aspak surprizë: Harri Poter, që përmendej në 21.8 për qind të statuseve në të gjithë botën. Më pas vijnë Bibla, “Krenari dhe paragjykim”, “Getsbi i madh”, “1984”, “Bashkë me erën”, “Alkimisti”, “100 vjet vetmi”, “Gjuetari i balonave” etj.
Përgatiti: Elona Qose