skip to Main Content

Arkiva personale e Markezit, 2.2 milionë dollarë

2014022421033486278
Universiteti i Teksasit ka paguar 2.2 milionë dollarë për ta blerë arkivin personal të autorit Gabriel Garcia Marquez.
Familja e shkrimtarit të njohur, i cili vdiq në prill të vitit të kaluar, ka rënë dakord për këtë shumë për të gjitha letrat, dokumentet dhe dorëshkrimet që gjendeshin në shtëpinë e autorit në Meksikë.
Familja thotë se paratë nuk kanë qenë prioriteti kryesor në këtë shitje, por arkiva duhej të shkonte në duar të sigurta. Arkiva do të ekspozohet në Qendrën për Humanitet “Harry Ransom”. Kjo qendër më përpara ka blerë edhe arkivat e autorëve J.M.Coetzee dhe James Joyce.
Fituesi i çmimit Nobel, romancieri Gabriel Garcia Marquez, i cili u vlerësua si shkrimtari më popullor spanjoll që prej Servantesit, vdiq një vit më parë  në  moshën 87-vjeçare.
Kur Garcia Marquez u nderua me çmimin Nobel në vitin 1982, akademia vlerësoi romanet e tij, ku fantastikja dhe realiteti janë të kombinuara në një botë të pasur të imagjinatës, duke pasqyruar jetën dhe konfliktet e një kontinenti.
Ai ishte i pari kolumbian dhe i katërti nga Amerika Latine që fitoi çmimin më prestigjioz letrar në botë.
Ndër veprat më të njohura të Markezit janë “Dashuri në kohërat e kolerës”, Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” dhe “Njëqind vjet vetmi”. Veprat e Markezit në shqip i kanë përkthyer Ramiz Kelmendi, Veton Surroi, Aurel Plasari, Mira Meksi dhe Robert Shvarc.