skip to Main Content

Çfarë nuk dini për Sherlok Holms

 sherlock
Sherlok Holms është dedektivi më i famshëm në botë. Tregimet e Sir Arthur Conan Doyle, krijuesit të Holmsit, janë përkthyer në të gjithë botën, ndërsa dhjetëra studio televizive e kinematografike ndër vite kanë marrë përsipër ekranizimin e aventurave të Holsmit dhe mikut të tij, doktor Uatson. Për kuriozitetin tuaj, kemi mbledhur disa informacione që me siguri nuk i dinit mbi dedektivin e njohur.
 
1. Sherlok Holms fillimisht do të quhej Sherrinford.
Emri më vonë u kthye në Sherlok me shumë mundësi për shkak të lojtarit të kriketit me të njëjtin emër. Sir Arthur Conan Doyle ishte i pasionuar pas kriketit dhe mes viteve 1899-1907 luajti edhe vetë me një klub profesionit të Londrës.  
 
2) Tregimi i parë me Sherlok Holms ishte një dështim.
Tregimin e parë me Sherlok Holms, “Studimi në të kuqe” (1887), Doyle e shkroi kur ishte 27 vjeç në vetëm tri javë. Për personazhin e tij, Doyle u frymëzua nga lektori i tij në Universitetin e Edinburgut, Dr. Joseph Bell, i cili mund t’i diagnostikonte pacientët thjesht duke i parë. Një influencë tjetër ishte dedektivi Auguste Dupin i krijuar nga Edgar Allan Poe. Shumë publicistë e refuzuan tregimin, derisa u publikua më në fund, por pa sukses.
 
3) Tregimi i dytë me Sherlok Holms ishte si rezultat i një darke me Oscar Wilde.
Editori Joseph Stoddart ishte nga të paktët që e kishte admiruar librin e parë. Ai e bindi Doyle, gjatë një darke në vitin 1889, të shkruante një tregim të dytë për ta publikuar në revistën ku punonte. Në të njëjtën darkë, Wilde, ra dakord të shkruante një novelë për revistën, “Portreti i Dorian Greit”.  
 
4) Sherlok Holms është personazhi më i ekranizuar.  
Sipas IMDb, Holms është shfaqur në 226 filma dhe është luajtur nga dhjetëra aktorë që nga fillimi i shekullit XX.
 
5) Holms nuk thotë: “Elementare, i dashur Uatson”!
Në krijimet origjinale, Holms thotë shpesh “elementare” dhe “i dashur Uatson”, por ideja për t’i lidhur bashkë dhe për ta bërë si shprehje dalluese lindi më vonë dhe u përdor nëpër skenarë.