Fan Noli, eruditi i pashoq

Noli ishte një personalitet shumëplanësh, politikan, studiues, shkrimtar, përkthyes, orator, muzikolog…
Noli lindi në Qytezë, fshat i banuar nga shqiptarë në rrethin e Edrenesë në 6 janar të vitit 1882. Vitet e luftës së përbashkët krahas forcave më të përparuara të shoqërisë shqiptare e bënë Nolin demokratin revolucionar dhe mendimtarin e shquar dhe veprën e tij, një nga kulmet e mendimit shoqëror dhe krijmtarisë poetike shqiptare.
Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, shkoi në SHBA, ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”. Në ato vite krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet.
Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27-vjeçare kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën. Si prift ortodoks në vitin 1908 për herë të parë ai mbajti liturgji në gjuhën shqipe në sallën “Knights of Honor” në Boston. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale.
Me veprimtarinë e shumanshme, Noli dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare. Një pjesë të mirë të forcave të tij ia kushtoi gazetarisë dhe publicistikës, duke drejtuar me ndërprerje gazetën “Dielli”, themeloi dhe drejtoi gazetën “Republika”. Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare. Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim.
Noli la përkthime mjeshtërore të disa veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi etj.
Noli vdiq në Florida, SHBA, më 13 mars të vitit 1965, në moshën 83 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.