Në 70-vjetorin e poetit Xhevahir Spahiu
Tek ngjyrat çmendem,
Tek fjala vdes çmendem përmendem!
Janë këto vargje të një prej poetëve më të mirë shqiptarë, që më 1 mars bëri 70 vjet.
Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur, nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe në idetë dhe mesazhet që mbart. Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.
Xhevahir Spahiu lindi më 1 mars të vitit 1945 në Malind të Skraparit. Studioi në Fakultetin Histori-Filologji, Dega Gjuhë-Letërsi Shqipe.
Nga viti 1968 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operës e Baletit në Tiranë.
Gjatë 50 vjetëve autorin e kanë larguar nga puna si dhe i kanë hequr të drejtën e botimit disa herë radhazi për “gabime ideologjike”. Në vitin 1977-1978 e larguan nga “Zëri popullit” dhe e çuan në minierën e Valiasit; në vitin 1986 e heqin nga revista “Nëntori” dhe e çuan mësues të thjeshtë në shkollat e natës, pasi kishte lejuar të botoheshin novela të “gabuara”. Në vitin 1973 iu ndalua botimi i librit poetik “Bota ku eci”. Libri poetik “Zgjimi i thellësive” në vitin 1979 u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton.
Sot, pas dhjetëra viteve krijimtari, nuk mund të mos i urojmë ditën e lindjes poetit të dashur dhe t’i dëshirojmë shëndet!