Skandali në Bohemi-Pjesa e dyte
Një natë – data shënonte 20 mars 1888 – ndërsa kthehesha pas vizitës së një pacienti (në atë kohë i isha rikthyer shërbimit civil) këmbët më çuan drejt e në rrugën “Bejkër”. Ndërsa kalova para derës aq të njohur, më pushtoi dëshira për të parë Holmsin. Që poshtë pashë siluetën e tij të gjatë; Holmsi ecte nëpër dhomë me një padurim të dukshëm, me kokën ulur mbi gjoks dhe duart mbërthyer nga pas. Për mua, që njihja çdo gjendje të tij shpirtërore e mendore, çdo zakon e rutinë, çdo gjë ishte e qartë: ai po punonte përsëri.
I rashë ziles. U ngjita në dhomën që dikur kishte qenë edhe e imja.
Sjellja e tij ishte shumë e përmbajtur – jo se prisja ndonjë gjë tjetër – por më duket se ishte i lumtur që më pa. Pa fjalë, por me një vështrim të butë, me një lëvizje elegante krahu, më tregoi karrigen ku mund të ulesha. Ashtu në këmbë siç ishte, përpara oxhakut, më pa nga koka te këmbët.
– Martesa të ka bërë mirë, Uotson,– vuri në dukje.
– Mendoj se ke shtuar 3 kilogramë e gjysmë.
– 3 kilogramë,- iu përgjigja.
– Në fakt, një çikë më shumë se aq. Më pëlqen, Uotson! Dhe me sa shoh, ke nisur zanatin sërish.
– Si e kuptove?
– Sepse unë vëzhgoj Uotson. Ashtu siç e kuptoj se shërbëtorja jote është pa diskutim vajza më e ngathët dhe e pakujdesshme që mund të gjeje.
(Vazhdon)