Skandali në Bohemi (Pjesa e Pestë)
– Letra është e fortë dhe e pazakontë, – vërejta.
– E pazakontë, tamam, – tha Holms. Nuk është letër angleze. Ktheje nga drita.
Bëra siç më tha Holmsi dhe pashë disa germa të mëdha e të vogla; e para ishte “E”, e ndjekur nga “g”, “P” dhe “G”, si dhe një “t” të ndërfutur në thurjet e letrës.
– Çfarë i thua kësaj? – pyeti Holms.
– Emri i dërguesit, nuk ka dyshim, ose një monogram.
– Aspak. Germat “G” dhe “t” janë pjesë të fjalës “Gesellschaft”, që në gjermanisht do të thotë kompani. “P” sigurisht është për “Papier” – letër. Sa për “Eg”… le ta shqyrtojmë, – tha dhe tërhoqi një libër të trashë nga rafti.
– Eglow, Eglonitz, ja ku është, Egria. Është një vend gjermanishtfolës në Bohemi, jo shumë Karlsbadit, i njohur për fabrikat e qelqit dhe… punishtet e letrës.
Sytë i shkëlqyen. Me një pozë triumfatori nxori një shtëllungë tymi nga duhani që po pinte.
– Letra është prodhuar në Bohemi, – thashë.
– Pikërisht, – vazhdoi. – Dhe personi që e shkroi letrën është gjerman. E vure re ndërtimin e pazakontë të fjalisë? Asnjë francez ose rus nuk do ta kishte shkruar. Vetëm një gjerman mund të jetë i pakujdesshëm ndaj përdorimit të foljeve. Tani na mbetet të zbulojmë çfarë kërkon një gjerman, që përdor letër bohemiane dhe preferon ta fshehë fytyrën pas një maske. Dhe… ja ku po vjen zotëria enigmatik për të na hequr gjithë dyshimet.
Ndërsa Sherlok fliste, nga jashtë u dëgjua trokëllima e kuajve. Holms fishkëlleu.
– Çift, – ia behu dhe kërceu drejt dritares.
– Ah, po, – vazhdoi, – një pajton me dy kuaj të bukur. Shoh shumë para në këtë çështje, Uotson.