Skandali në Bohemi-Pjesa e Tretë
I dashur Holms, kjo është e tepërt. Nëse do të kishte jetuar disa shekuj më parë me siguri do të kishe përfunduar në turrën e druve. Është e vërtetë që të enjten isha në fshat dhe u ktheva në gjendje të mjerueshme, por meqenëse e kam ndërruar veshjen nuk e di se si e more vesh. E sa për Meri Xhejn, ke të drejtë, është e pakorrigjueshme, por prapë se prapë nuk e arrij ta kuptoj se si arrite në këtë përfundim.
Holms nënqeshi dhe fërkoi duart.
– Është shumë e thjeshtë, në fakt, – tha ai. – Sytë më tregojnë gjithçka. Këpuca jote e majtë ka gjashtë prerje të vogla gati paralele, të cilat, pa dyshim, janë shkaktuar nga pastrimi i pakujdesshëm i shuallit për të hequr baltën e tharë prej tij.
Sa i përket profesionit, – vazhdoi, – nëse në dhomën time hyn një zotëri që kutërbon erë jodi, me një njollë të zezë nitrat argjendi në gishtin tregues dhe me stetoskopin në xhepin e djathtë, do të isha i mefshtë mos ta kuptoja që është mjek.
Nuk e mbajta dot të qeshurën. Për të është kaq e thjeshtë të arrijë në konkluzione.
– Kur dëgjoj arsyetimet e tua, – ia ktheva, – gjërat duken kaq të thjeshta. E megjithatë, vetë nuk arrij ta bëj një gjë të tillë, edhe pse besoj se shikimi im është po aq i vëmendshëm.
– Pa dyshim, – tha dhe ndezi një cigare, pastaj u zhyt në kolltuk.
– Puna është, Uotson, se ti shikon, por nuk vëzhgon. Ndryshimi është i qartë.
(Vazhdon)