skip to Main Content

Skandali në Bohemi

11082579_869055373132766_9109380957425337295_n
Për Sherlok Holms ajo gjithmonë do të jetë Gruaja. Rrallë e kam dëgjuar ta quajë ndryshe. Në sytë e tij, ajo eklipson gjithë gjininë e saj. Nuk është se ndjente ndonjë gjë, qoftë edhe të ngjashme me dashurinë, për Irene Adler. Ndjenja të tilla, dashuria në veçanti, ishin të neveritshme për mendjen e tij të ftohtë, por mrekullisht të balancuar.
E pranoj që ai ishte si një lloj makinerie arsyetimi, më perfektja që bota kishte parë, por si dashnor nuk ishte kurrkund. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të fliste për ndjenjat pa atë tonin e dukshëm tallës dhe përçmues. Për një njeri observues, ato ishin të dobishme në rastet e zbulimit të motiveve që fshihen pas veprimeve të dikujt. Por për një njeri si ai, i trajnuar për të vënë në lojë të tjerë, të pranonte ndjenja të tilla të ngatërrohen me temperamentin e tij do të thoshte të shtonte një faktor shpërqendrues, që pa dyshim do të hidhte hije dyshimi mbi rezultatet e tij. E megjithatë, për të kishte vetëm një grua: Irene Adler.
Kohët e fundit e kisha parë rrallë Holmsin. Që pas martesës sime ishim takuar shumë pak. Isha i lumtur dhe interesat tashmë familjare ishin të mjaftueshme për të tërhequr gjithë vëmendjen time. Holmsi, nga ana tjetër, i cili urrente çdo lloj forme shoqërie me gjithë forcën e shpirtit të tij bohemian, qëndroi në banesën tonë në rrugën “Bejkër” i zhytur në librat e vjetër; herë humbiste nën efektin e kokainës, herë nxitej nga ambicia. Prapëseprapë, si gjithmonë, Holmsin e tërhiqte thellësisht studimi i krimit. Talentin e tij të jashtëzakonshëm, dhuntinë e tij të vëzhgimit të detajeve, i vinte në punë për të zbardhur rastet e pashpresa, të lëna pas dore nga policia. Herë pas here dëgjoja ndonjë të re mbi aktivitetet e tij: thirrjen e tij në Odesa për rastin e vrasjes së Tripofit, zbardhjen e tragjedisë së vëllezërve Atkinson dhe mbi të gjitha punën e suksesshme për familjen mbretërore të Holandës. Megjithatë, përveç këtyre çështjeve profesionale, të cilat i ndava me lexuesit e shtypit të përditshëm, shumë pak dija për mikun tim të vjetër…
Një natë – data shënonte 20 mars 1888 – ndërsa kthehesha pas vizitës së një pacienti (në atë kohë i isha rikthyer shërbimit civil) këmbët më çuan drejt e në rrugën “Bejkër”. Ndërsa kalova para derës aq të njohur, më pushtoi dëshira për të parë Holmsin. Që poshtë pashë siluetën e tij të gjatë; Holmsi ecte nëpër dhomë me një padurim të dukshëm, me kokën ulur mbi gjoks dhe duart mbërthyer nga pas. Për mua, që njihja çdo gjendje të tij shpirtërore e mendore, çdo zakon e rutinë, çdo gjë ishte e qartë: ai po punonte përsëri.
I rashë ziles. U ngjita në dhomën që dikur kishte qenë edhe e imja.
Sjellja e tij ishte shumë e përmbajtur – jo se prisja ndonjë gjë tjetër – por më duket se ishte i lumtur që më pa. Pa fjalë, por me një vështrim të butë, me një lëvizje elegante krahu, më tregoi karrigen ku mund të ulesha. Ashtu në këmbë siç ishte, përpara oxhakut, më pa nga koka te këmbët.
– Martesa të ka bërë mirë, Uotson,– vuri në dukje.
– Mendoj se ke shtuar 3 kilogramë e gjysmë.
– 3 kilogramë,- iu përgjigja.
– Në fakt, një çikë më shumë se aq. Më pëlqen, Uotson! Dhe me sa shoh, ke nisur stërvitjen sërish.
– Si e kuptove?
– Sepse unë vëzhgoj Uotson. Ashtu siç e kuptoj se shërbëtorja jote është pa diskutim vajza më e ngathët dhe e pakujdesshme që mund të gjeje.