skip to Main Content

Skandali në Bohemi(Pjesa e Gjashtë)

10427252_871161479588822_1976978667031283429_n
– Atëherë, më mirë të shkoj Holms.
– As mos e mendo, doktor! Qëndro! Çështja po bëhet interesante. Do të ishte mëkat ta humbje.
– Por klienti yt…
– Harroje! Mund të më duhet ndihma jote. Ja ku po vjen. Ulu në kolltuk doktor dhe tregohu i vëmendshëm.
Zhurma e rëndë e hapave, që u ndje që poshtë në holl e më pas nëpër shkallë, ndaloi para derës. Në moment u dëgjua një trokitje e fortë.
– Hyni, – tha Holms.
Në dhomë ia behu në burrë i gjatë me kraharorin dhe gjymtyrët si të Herkulit. Veshja tregonte padyshim gjendjen pasurore të tij: rrobat i kishte aq të ngarkuara sa në Angli do të merrej për mungesë shijeje; rripa të rëndë astragani qepur mbi mëngët dhe pjesën e përparme të palltos dopiopet; manteli blu i thellë, i hedhur në shpatulla, lidhej në qafë nga një karficë me gur të shkëlqyeshëm; çizmet deri në gjysmë të kërcirit, të zbukuruara në qafë me pelush kaf, kompletonin pamjen e të huajit. Në dorë mbante kapelën, ndërsa fytyrën ia mbulonte një maskë e zezë, që mesa duket e kishte rregulluar në atë moment. Pjesa e poshtme e fytyrës, me buzën e hollë dhe mjekrën e gjatë, tregonte për një burrë me karakter të fortë.
– E morët letrën time? – pyeti me një zë të thellë e të ashpër, me theks të fortë gjerman, ndërsa shikonte sa nga njëri te tjetri, duke mos qenë i sigurt kujt t’i drejtohej.
– Uluni, ju lutem! – tha Holms. – Ky është miku dhe kolegu im, doktor Uotson, i cili ndonjëherë është aq i sjellshëm sa të më ndihmojë. Me kë kam nderin të flas?
– Mund të më drejtoheni si konti Von Kramm, fisnik gjerman. E kuptoj që zotëria këtu me ne, miku juaj, është diskret dhe mund t’i besoj për një çështje tejet të rëndësishme. Nëse jo, do të preferoja të flisja vetëm për vetëm me ju.
U ngrita të shkoja, por Holmsi më kapi nga krahu dhe më shtyu në kolltuk.
– Mund të thoni para këtij zotërie çdo gjë që mund të ma thoni mua vetëm, – i tha të huajit.
Konti mblodhi supet, pastaj tha:
– Atëherë po nis duke ju kërkuar të betoheni për fshehtësi absolute për dy vjet. Pas dy vjetësh çështja që do t’ju besoj nuk do të ketë më rëndësi. Sa për tani, çështja është kaq delikate sa mund të influencojë mbi historinë europiane.
-Ju premtoj se do ta ruaj sekretin,- tha Holms.
– Edhe unë, – vijova.
– Do të më falni për maskën, – tha vizitori i çuditshëm. Personi që më ka punësuar dëshiron që unë të mbetem anonim. Më duhet të pranoj se edhe titulli me të cilin u paraqita nuk më përket tamam.
– Oh, këtë e kisha kuptuar, – tha Holms.
– Rrethanat e kësaj çështjeje janë shumë delikate, ndaj duhet të marrim masat e nevojshme për të shmangur çfarë mund të rezultojë në një skandal të paprecedentë, që mund të kompromentojë një nga familjet mbretërore të Europës. Tani, të flas hapur, bëhet fjalë për trashëgimtarët e fronit të Bohemisë.
– Edhe këtë e kisha kuptuar, – mërmëriti Holmsi, duke mbyllur sytë.