Vila Monte Kristo drejt rrënimit
Shtëpia e Aleksandër Dymas ka nevojë për ristrukturim, me një kosto prej 1 milion eurosh
Musketerët e Dymas betoheshin “Të gjithë për një, një për të gjithë” – deviza e krijuar nga shkrimtari i njohur francez për të përshkruar vëllazërinë dhe solidaritetin mes personazheve të njohur: Atos, Portos, Aramis dhe D’Artanjan.
Sot ka dalë nevoja e një bashkimi të tillë, por për mbledhur para në mënyrë që shtëpia historike e autorit mos të rrënohet.
Vendasit dhe shumë dashamirës të autorit po përpiqen me ngulm për të shpëtuar vilën e Monte Kristos, një kështjellë që Dyma e përshkruante si “parajsën e tij në tokë”.
Dymas ishte në kulmin e suksesit të tij në vitin 1844, pas publikimit të librit “Tre musketarët”. Në atë kohë ai bleu një tokë që shërbente si vresht, pranë Saint-Germain-en-Laye, 20 km në perëndim të Parisit.
I joshur nga vendi me pamje nga Sena, ai vendosi të ndërtonte godinën e mrekullueshme, vepër e Hippolyte Durand, një arkitekt i njohur i kohës.
Në korrik 1847, një vit pas përfundimit të kryeveprës së tij, “Konti i Monte Kristos” përfundoi edhe vila, të cilën Dyma e pagëzoi me emrin e librit që do të bëhej puna e tij më e suksesshme.
Vila e Dymas është e punuar me mjeshtëri. Fasadat e saj janë dekoruar me motive lulesh, engjëjsh dhe instrumentesh muzikore. Mbi çdo dritare është një skulpturë e shkrimtarëve të njohur, përfshirë Shekspiri.
Mbi derën kryesore është emblema e familjes: tri shqiponja dhe motoja e autorit: J’aime qui m’aime (I dua ata që më duan).
Shkrimtari i adhuronte festat dhe organizoi disa nga pritjet më të mëdha në këtë vilë, derisa nisën t’i shteronin të ardhurat.
Në vitin 1848, pasi e shpenzoi pasurinë e tij me festa dhe gra (studiuesit thoshin se Dymas kishte 40 dashnore), u detyrua ta shiste pronën dhe të zhvendosej në Belgjikë.
Prona iu dha me qira shkollës britanike në Paris në vitet 1950-1960 para se të fillonte të rrënohej. Në vitin 1969 pronarët donin ta shkatërronin dhe u arrit të shpëtohej vetëm pasi autoritetet lokale vendosën ta blinin.
Por tashmë vila ka nevojë për ristrukturime me kosto të lartë, që sipas studiuesve ia vlejnë për vlerat kulturore-historike të saj.