skip to Main Content

Flamuri shqiptar do të valëvitet mbi Capitol Hill për nder të Kadaresë

Flamuri shqiptar do të valëvitet mbi ndërtesën e famshme të Kongresit amerikan në Uashington, për nder të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, ndërsa ka mbetur për t’u caktuar vetëm data se kur do të ngrihet, – shkruan gazeta “IllyriaPress” në New York.
Gjesti simbolik është siguruar nga kongresisti Eliot Engel me nismën dhe propozimin e Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New York.
Ndonëse ngritja e flamurit është një praktikë e rregullt për kongresistë dhe senatorë për të vlerësuar dhe përmendur njerëzit e distrikteve të tyre përkatëse, kësaj here ceremonia do të jetë e veçantë, për shkak se do të nderohet një personalitet i një vendi tjetër.
Kongresisti Engel e nderoi këto ditë shkrimtarin e njohur edhe nga salla e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Ai citon Jurinë e Çmimit të Izraelit që e përshkruan shkrimtarin Kadare si “tregimtar i historive mbresëlënëse, të shkruara me nënkuptime dhe në mënyrë të tërthortë. Ai shkruan për ndjenjën kolektive të fajit dhe veçanërisht për përpjekjet e dështuara të së vërtetës për të depërtuar në të. Ndërsa fsheh gjurmët nëpër shtresa mitesh dhe metaforash, ai njëkohësisht përpiqet të nxjerrë në pah pyetje për të cilat nuk ka përgjigje dhe krime për të cilat nuk mund të ketë falje. Ndonëse subjektet dhe protagonistët e veprave të tij janë lokalë, kuptimi dhe rëndësia e tyre janë pa asnjë dyshim, universalë”.
Kongresisti Engel citoi me radhë disa nga nderimet e mëdha që i janë bërë shkrimtarit Kadare për krijimtarinë e tij letrare, si anëtarësimi i përjetshëm në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike Franceze, Çmimi botëror “Cino Del Duca” në 1992, “Man Booker International” në 2005, Çmimi i Princit të Asturias për Letërsi si dhe Grada Shkencore e Nderit në Komunikimin Social dhe Institucional nga Universiteti i Palermos në 2009.
Capitol-for-Forum-Page