Gjej një vajzë që lexon dhe jo vetëm
Teksa sodis larminë e librave, të rinj e të vjetër, në portalin tonë, kuptoj se sa shumë tituj nuk i kam lexuar dhe mbase nuk do të arrij t’i lexoj për vite ose nuk do të arrij t’i lexoj kurrë. E megjithatë, shumë prej tyre vazhdoj t’i blej, t’i marr hua, t’i shkarkoj në variantin elektronik…
Nuk e di nëse do të kem kohë ndonjëherë për të lexuar të gjithë librat që dua. E megjithatë e dua koleksionin tim të librare.
Nuk jam tërësisht dakord me Rosemarie Urquico (gjej një vajzë që i shpenzon paratë për libra në vend të rrobave). Më pëlqen e bukura. Dua që në dollapin tim të ketë vend për të gjitha.
Më pëlqen të harrohem pas rafteve të mbushur me libra, por edhe të mrekullohem pas ngjyrave të veshjeve; më pëlqen t’u marr erë faqeve të një libri të vjetër, por edhe të mbushem me aromën e një parfumi të mirë.
E dua koleksionin tim të librave, edhe pse nuk i kam lexuar të gjithë. E di që do t’i lexoj një nga një, në kohën e duhur.