Noli dhe Konica në një ekspozitë
“Albumi i një bashkëkohësie” titullohej ekspozita e çelur në Bibliotekën Kombëtare, në Tiranë, kushtuar dy figurave të shquara të jetës kulturore, letrare, politike e shoqërore shqiptare, Fan Nolit dhe Faik Konicës. Ekspozita u çel në kuadrin e 50-vjetorit të vdekjes së Nolit dhe 140-vjetorit të lindjes së Konicës, respektivisht më 13 dhe 15 mars.
Kjo ekspozitë e veçantë prezantoi një qasje ndryshe, që sillte dialogun kompleks që karakterizoi të dy personalitetet poliedrike, duke vënë në dukje kontributet e tyre të përbashkëta si shkrimtarë, përkthyes, kritikë letrarë e kritikë socialë, dijetarë të hollë në debatet ndërkombëtare të kulturës botërore por edhe polemistë të fuqishëm ndaj zhvillimeve politike jo vetëm Shqiptare por edhe rajonale e europiane.
Mjaft libra, dorëshkrime, fotografi, citate e shënime, lapsi apo oboja e famshme e Nolit, monografia e Konicës dhe skulptura medaljon e Nolit ishin pjesë të kësaj ekspozite, e cila u mundësua dhe realizua nga Prof. Nasho Jorgaqi, Melsi Labi, Thoma Thomai, familjarë të Jup Kastratit, Arkivi Qendror Shtetëror, sektori i bibliografisë së Bibliotekës, që kontribuuan duke vënë në dispozicion dhe dhuruar nga fondet dhe koleksionet personale, objektet e paraqitura për herë të parë.