skip to Main Content

Për t’u lexuar: “Faji në yjet tanë”

Titulli: Faji në yjet tanë

Autori: John Green

Botuesi: EUGEN

Pasi kisha qeshur e qarë me filmin me të njëjtin titull, vendosa të lexoja edhe librin; fatkeqësisht kur u botua në shqip, filmi kishte dalë nëpër kinema. Në fillim mendoja se do të ishte një nga ato historitë e zakonshme limonadë me adoleshentë, por në fakt ishte e kundërta; një nga ato raste kur lumturohesh nga zhgënjimi.

“Faji në yjet tanë” është një libër i mrekullueshëm, për një adoleshente të diagnostikuar me kancer. Hejzëll, 16 vjeç, nis të ndjekë një grup mbështetës me të sëmurë të tjerë me kancer. Aty takon  Augustusin,  një djalosh simpatik dhe i shkathët. Augustus vuan nga osteosarkoma, një lloj i rrallë kanceri i kockës. Pas vitesh kurimi, Augustus nuk ka më shenja të sëmundjes.

Nga momenti i njohjes, Hejzëll and Augustus nisin një marrëdhënie të rrëmbyeshme dashurie dhe trishtimi. Së bashku nisen për në Amsterdam, në kërkim Peter Van Houten, autori i librit të preferuar të Hejzëll.

Do t’ia rekomandoja kujtdo këtë libër, edhe atyre që nuk i preferojnë librat për adoleshentë. Është i bukur, magjepsës, plot batuta… John Green është shkrimtar i talentuar, që shkruan me një gjuhë kaq të thjeshtë e të çiltër, duke shmangur ato shprehjet klishe që zakonisht u thuhen njerëzve me sëmundje terminale.  Ai përzien mjeshtërisht gëzimin me dëshpërimin, duke krijuar një histori që të thyen zemrën.

Historia e Hejzëll dhe Augustus të bën të kuptosh se edhe një kohë e shkurtër mund të bëhet përjetësi.