skip to Main Content

Skandali në Bohemi (Pjesa e Shtate)

bohemi7

-Nëse Madhëria juaj do ta shihte të arsyeshme ta shpjegonte problemin, – tha Holms,- do ta kisha më të lehtë t’ju këshilloja.
Burri kërceu vrikthi nga karrigia dhe me një ankth të dukshëm nisi ecejaket nëpër dhomë. Pastaj, me një gjest dëshpërimi, hoqi maskën.
– Keni të drejtë, – tha i pikëlluar. – Unë jam mbreti. Nuk ka vlerë më ta fsheh.
– Ende pa folur Madhëria juaj, e dija që përballë kisha Wilhelm Gottsreich Sigismond von Ormstein, mbretin trashëgimtar të Bohemisë.
– Por mund ta kuptoni, – tha vizitori i çuditshëm, duke u ulur sërish në karrige dhe duke kaluar dorën mbi ballin e bardhë, se nuk jam mësuar të merrem personalisht me gjëra të tilla. Por çështja është kaq delikate sa nuk mund t’ia besoja askujt. Kam ardhur që nga Praga për t’u këshilluar me ju.
-Më tregoni, – tha Holms duke mbyllur sytë sërish.
– Shkurtimisht, para nja 5 vitesh, gjatë një vizite të gjatë në Varshavë, u njoha me një zonjushë të njohur për aventurat e saj, Irene Adler. Jam i sigurt që emri nuk është i panjohur për ju.
– Do të keni mirësinë të kontrolloni, doktor? – pëshpëriti Holms pa i hapur sytë.
Ndër vite, Sherlok kishte adaptuar një sistem të listimit të të gjithë paragrafëve në lidhje me persona ose çështje që i kishte hasur më parë, kështu që nuk ishte e vështirë për të të gjente informacion për një njeri të caktuar. Biografinë e zonjushës Adler e gjeta në raft, mes asaj të një rabini dhe një komandanti që kishte studiuar për gjallesat e thellësive.
– Ma jep ta shoh, – tha Holms.
– Hem! Lindur në Nju Xhersi në vitin 1858. “La Scala”, primadonë e Operës së Varshavës… po! Është tërhequr nga skena operistike. Jeton në Londër… Madhëria juaj, mesa kuptoj, është ngatërruar me këtë person, i ka shkruar disa letra komprometuese, të cilat dëshiron t’i kthehen mbrapsht.
– Saktë! Por si…
– Keni bërë ndonjë martesë sekrete?
-Jo.
– Nuk ka letra apo certifikata ligjore?
– Jo.
– Atëherë, më vjen keq, por nuk po ju kuptoj Madhëri. Nëse zonjusha po i përdor këto letra për t’ju bërë shantazh, si do të jetë në gjendje të provojë autenticitetin e tyre?
– Kaligrafia.
-Falsifikim.
– Nënshkrimi im.
– Imitim.
– Vula.
– E vjedhur.
– Fotografia ime.
– E blerë.
– Jemi bashkë në atë fotografi.
– Oh! Kjo nuk është gjë e mirë. Madhëria juaj nuk është treguar i kujdesshëm.
-Isha i çmenduar pas saj. Atëherë isha i ri, princ kurore. Tani e kuptoj çfarë kam bërë.
– Letrat duhet të merren urgjentisht.
– E kemi provuar dhe kemi dështuar.
– Madhëria juaj duhet të paguajë.
– Ajo nuk i shet.
– Duhet t’i vidhni atëherë.
-Pesë përpjekje, pa asnjë rezultat.
Holms qeshi.
– Ky po që është problem, – tha pastaj.