Vidhet kopja e parë e kryeveprës së Markezit, “100 vjet vetmi”
Kopja e parë e romanit “100 vjet vetmi” e autorit kolumbian Gabriel Garcia Marquez është vjedhur në panairin ndërkombëtar të librit në Bogota.
Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e panairit, sipas të cilëve libri është vjedhur në ekspozitën në nder të autorit fitues i çmimit Nobel. Panairi, i cili hapi dyert javën e kaluar, është një përkujtim i veçantë për shkrimtarin që u nda nga jeta në prill të vitit të kaluar në moshën 87-vjeçare. Libri, që mendohet se vlen mijëra dollarë, u zhduk nga një dollap i mbyllur në qendrën e ekspozitës “Corferias” në Bogota.
Presidenti i Dhomës së Librave në Kolumbi shpreh keqardhjen për humbjen e kësaj vlere të letërsisë.
“Corferias dhe Dhoma Kolumbiane e Librit shpreh keqardhjen për incidentin që ka ndodhur këtu në pavijonin e Macondos, në krahun e bibliotekës së Macondos”,- tha Gonzales.
Media vendase njoftoi se botimi i parë i vitit 1967 i përkiste Alvaro Castillos, i cili e ka blerë atë në vitin 2006, në kryeqytetin e Uruguait.
Autoritetet po ekzaminojnë videot e sekuestruara nga ekspozita në përpjekje për të kapur dhe identifikuar autorin.
Gonzales shtoi se vjedhja është e çuditshme, pasi libri ishte mbyllur me një sërë librash të tjerë. “Kjo është edhe arsyeja që kanë nisur hetimet”,- tha ai.
Libri i njohur në të gjithë botën është edhe vepra që i dha Markezit çmimin Nobel në vitin 1982.