skip to Main Content

Eminesku-Veronika – një marrëdhënie dashuri/urrejtje

eminescu-veronica

Më 15 qershor të vitit 1889 ndërroi jetë poeti kombëtar rumun, Mihai Eminesku. Vargjet e tij janë sjellë në shqip nga përkthyes të mrekullueshëm; vepra e Emineskut vlerësohet ende sot në të gjithë botën.

Veronika Micle ishte e dashura e Emineskut, me të cilën mbajti lidhje deri në fund të jetës. Dy muaj pas vdekjes së Emineskut, Veronika vrau veten me një doza fatale arseniku.

***

“Veronikë, e ëmbla ime Veronikë! Momentin që nuk do të më duash më… do të vdes. Ti më dhurove ditë të arta. Ti je Zoti tek i cili falem”…

 

Letër e Emineskut drejtuar Veronikës   

“Veronika, duhet ta dish se megjithëse të dua shumë, ndonjëherë të urrej. Pa ndonjë arsye, pa fjalë, vetëm sepse të imagjinoj duke qeshur me ndokënd dhe e qeshura jote për atë tjetrin nuk ka të njëjtën vlerë si për mua. Më çmend ideja se ndonjë tjetër mund ta prekë trupin tënd. Ndonjëherë të urrej sepse e di që ti zotëron joshjen me të cilën më magjepse. Unë mund të jem i lumtur përkrah teje vetëm nëse do të jetonim diku larg, larg njerëzve të tjerë, që askush mos të të shihte; mund të jem i qetë vetëm nëse do të mund të të mbaja në një kafaz zogjsh, ku vetëm unë do të mund të hyja”.

Mihai Eminesku

 

Një nga letrat e Veronikës dërguar Mihai Emineskut

“Emini im i ëmbël, sa më shumë që dashuron dikush, aq më i marrë dhe më i padrejtë duket ndaj qenies së tij të dashur.

E vetmja gjë e adhuruar që kam mbi këtë dhe je ti! Falmë po qe se kaq shpesh të bëj padrejtësi dhe të akuzoj herë për indiferencë dhe herë për ku ta di se çfarë kalon në mendjen time të marrë, mendje e turbulluar si pasojë e vështirësive dhe nevojave të jetës. Në letrën e 22-të dukem përsëri ironike dhe e keqe, ndaj të lutem të më dënosh kur të shihemi. Deri atëherë bëhu i njerëzishëm ndaj meje dhe mos m’i kujto gjithë ligësitë që kanë një burim të vetëm: dashurinë e pakufishme ndaj teje dhe një xhelozinë që më vjen turp ta tregoj. Jam xheloze për shpirtin tënd. Sa u takon zbavitjeve të tua, nuk hidhërohem.

Qava shumë kur mora letrën tënde. Më kaplon trishtimi kur mendoj se vuan në vetmi, pa pasur një dorë mbi ballin tënd që vlen sa një mbretëri.

Nuk po të shkruaj më se më gulçon vaji dhe është vaj që del nga thellësia e shpirtit…

Eja për Pashkë, i dashur! Duke të të parë do më duket sikur kam gjetur një thesar. Të puth nga thellësia e shpirtit”.

Veronika