skip to Main Content

Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen…

foto1

U ktheva pas në kohë, në vitin 1984, prej të cilit lexova se e pamundura mund të përqafohet prej masës. E dini çfarë ndodh në atë vit, 12 mujor a 365 ditë? Askush nuk bëhet ekzistues. Fryma jote ngroh si e tjetrit. Zërat bëhen kor e oshtimë… Ti kurrë nuk je vetëm. E çfarë gjëje jo të bukur ka të qenit me të tjerë? – do pyesnit me siguri! Viti ’84 ua lehtëson të bëni dallimin mes ekzistencës dhe pranisë, mes njerëzores dhe kafshërores, edhe pse fjala kafshë është fyese për katër putrat, por jo për njerëzit e ‘84-s. Sot mendoj se ai vit është përsëritur, përsëritur ngjarjet dhe rrethanat në subjektin e tij, por qëllimin e ofron të njëjtë çdo vit pas 1984-s. Është koha e vëzhgimit, kohë e spiunëve të pamëshirshëm dhe të pakohë për të gjetur arsye tjetër për të jetuar. Në ‘84-n e Londrës së Orwellit njeriu gjykohet, vritet, mbyllet në vetmi bashkë me syrin e vëzhgimit të përjetshëm. Dashuria është krim, puthja është mëkat, partneri merr emrin e gabuar “vjella” dhe trashëgimtarët janë të gjakut tënd, por mbajtur nëntë muaj në bark nga ”shteti”. Vëllai i madh sundon mbi gjithçka. Filozofia e ’84-s është më se e prekshme në ditët e sotme. Është njëfytyrëshe! Qëllimi është të kapërcejmë kufijtë e normales; mjeti është pushteti, sundimi mbi gjithçka. Mbi frymën dhe mendësinë… E në rast se të menduarit është përfshirë në vorbullën e vëllait të madh, atëherë ke arritur finishin. Kështu janë personazhet e vitit 1984. E përbashkëta me të sotmen gjendet lehtë… Janë ende po të njëjtët individë me iniciale të reja. Ka ende udhërrëfyes të së mirës e kur ti endesh për të kërkuar të mirën, rruga s’ka as kthim për tek ajo. Përkundrazi, je në të keqen e pamëshirshme! Janë të njëjtët pushtetarë, por sërish me iniciale të tjera. Kamerat vëzhgojnë çdo lëvizje apo frymëmarrje në vitin 1984, sot është pikërisht ky vit! Aty ku virtualja sundon mbi të prekshmen, mbi aromën. Ky është viti 2015! E parashkroi Orwell në librin e tij “1984”…

Artemisa Deda