Përdhunim i shpirtit – Suzana Prelaj
Ndihej e rraskapitur, s’kishte më fuqi t’i bënte ballë mizorisë që po e gllabëronte dita-ditës. Ecte si e përhumbur, ecte dhe shpresonte që këmbët ta çonin drejt një gremine dhe të shuhej aty një herë e përgjithmonë. Nuk qante, lotët i kishin mbaruar me kohë. Në fakt, as ajo vetë nuk e mbante mend kur kishte qarë për herë të fundit. Mos ndoshta kur ai, i ati i saj, e bëri të abortonte krijesën që kishte ardhur si pasojë e incestit? Çfarë ishte më e keqja, nuk ia thoshte dot askujt plagët që pikonin gjak në shpirtin e saj. E kishte marrë malli të jetonte, të buzëqeshte, edhe ajo ishte njeri, edhe ajo donte të dashuronte dhe të dashurohej. E vetmja gjë me vlerë që i kishte mbetur në shpirtin e plagosur ishte ëndrra. Ëndërronte një përqafim që s’kishte ardhur kurrë, ëndërronte sikur realiteti i saj të ishte vetëm një ëndërr e keqe në gjumin e natës, ëndërronte një buzëqeshje që kishte humbur, por ëndrrat shpeshherë ia shkëpuste dhuna, përdhunimi, kërcënimi dhe baltosja e njerëzores, e mëshirës dhe çiltërsisë…
Suzana Prelaj