skip to Main Content

Romani që Ismail Kadare ia kushton të ëmës

Pas publikimit si pjesë e librit “Mëngjeset në kafe Rostand” dhe më pas botimit në frëngjisht, “Kukulla”botohet si libër më vete. Një roman që Ismail Kadare ia kushton nënës së tij.
Teksti, një rikthim në sfondin dhe personazhet e “Kronikë në gur”, zbërthen një enigmë, atë që thuajse gjithë jetën e Kadaresë mbeti një kod i padeshifrueshëm por i pashmangshëm, të ëmën.
Një rrëfim për moskuptimin midis tyre, që jo vetëm nuk e pengoi për asgjë, po kishte qenë, siç shkruan Kadare, ndoshta më i duhuri nga gjithë moskuptimet.
Një marrëdhënie e vështirë, gati-gati e munguar e fëmijës, më pas e shkrimtarit me të ëmën, e përshkruar më së shumti nga dhembshuria. E bashkë me të, edhe mendimi se do të ishte pikërisht ai, biri i vet, shkaktari i ankthit më të madh dhe njëherazi të kotë të së ëmës, frikës së mohimit.

“Një kukull e brishtë, naive, e parritur, e pazonja për t’u përballur me botën, me një marrëdhënie të vështirë me të vjehrrën, që përveç vetmisë e vret më shumë pasiguria”. Ky është portreti që Kadare e vizaton dhembshurisht për të ëmën.

Sa më shumë rritet, aq më tepër ia kupton brengën, tmerrin e saj prej kukulle, që nuk do t’i ndahet derisa ajo mbyll sytë, në prillin e vitit 1994. E kësisoj largohet nga kjo botë e lehtë, tamam si një kukull prej letre.

kukulla