skip to Main Content

Dorëshkrimet e Franc Kafkës, pronë e Bibliotekës Kombëtare të Izraelit

kafka

 

Vendimi i gjykatës izraelite i jep fund një beteje të gjatë ligjore mbi pronësinë e këtyre dorëshkrimeve, të cilat shkrimtari ia la amanet mikut të tij, Max Brod, që t’i shkatërronte.

Kafka vdiq në vitin 1924, duke e lënë të papublikuar pjesën më të madhe të punës së vet. Autori i “Metamorfozës”, i cili shkroi në gjermanisht, ia besoi dorëshkrimet mikut të tij Max Brod, të cilin e udhëzoi që t’i digjte pas vdekjes së tij.
Por Brod nuk e mbajti fjalën. Ai i mori dorëshkrimet e Kafkës dhe iku në Palestinë.
Brod, i cili vdiq më 1968-n, dorëshkrimet e Kafkës ia la trashëgimi sekretares së tij, Esther Hoffe. Ajo duhej të publikonte punën e Kafkës dhe duhej të sigurohej që pas vdekjes t’i linte nën përkujdesjen e një institucioni të përshtatshëm.
Në vitin 1973 doli lajmi se Hoffe kishte nxjerrë në ankand dorëshkrimet e Kafkës. Në atë kohë, prokurori i përgjithshëm i Izraelit e paralajmëroi se, sipas testamentit, ajo nuk duhej të nxirrte asnjë nga shkrimet. Pas vdekjes së Esther Hoffe në 2007-n, koleksioni u kaloi të bijave, të cilat nisën një betejë ligjore duke pretenduar pronësinë e plotë mbi punën e Kafkës.
Në vitin 2012, një gjykatë e hodhi poshtë këtë kërkesë dhe sot, pas 7 vjetësh, me në fund këto dorëshkrime do të jenë pjesë e bibliotekës, e cila ka premtuar se do t’i botojë online.