skip to Main Content

“Komedia hyjnore” edhe për të verbërit

komedia hyjnore

“Dante i shqiptarëve” u quajt ekspozita e çelur në Bibliotekën Kombëtare, në kujtim të 750-vjetorin e lindjes së shkrimtarit italian Dante Alighieri. Në 120-vjetorin e përkthimit të parë në shqip, kjo kryevepër botërore është e para që vjen në brail, alfabeti përmes të cilit lexojnë ata që nuk shikojnë.
“Në këtë ekspozitë do të kuptoni se si në 120 vjet histori të përkthimit të kësaj vepre, ndërtohen dhe 120 vjet marrëdhënie, sfidë, rilexim, shijim estetik i vazhdueshëm në proces,sepse do të vini re se këtu përveç botimeve të plota të emrave të mirënjohur, siç është Pashk Gjeçi dhe Mark Ndoja, do të ekspozohet dhe një bocetë e botimit dhe përkthimit të ardhshëm të Dantes”, – tha drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.
Kremtimet në nder të Dantes vijnë në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve dhe Institutitin Italian të Kulturës.
Ekspozita “Dante i shqiptarëve” do të qëndrojë e hapur deri më 23 tetor.

“Komedia hyjnore” është përshkrimi i udhëtimit fantastik të autorit nëpër tri mbretëritë e përjetshme: ferrit, purgatorit dhe parajsës. Në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1300, poeti humbi në një pyll të errët. Aty iu shfaq hija e Virgjilit, poetit të madh latin. Të dy poetët, Dantja dhe Virgjili, zbresin në ferr, ku në 9 rrathë dënohen mëkatarët. Fajet në ferr Dantja i ndan sipas teorisë së Aristotelit, ku njeriu mëkaton nga shfrenimi (grykësia, kopracia etj.), që për poetin janë më të lehta, pastaj nga shpirtligësia (dhuna, tradhtia), për të cilat poeti jep dënimet më të rënda. Në këtë pjesë autori përshkruan mënyrën sesi e shlyejnë mëkatarët dënimin e tyre. Pas udhëtimeve të tmerrshme nëpër ferr, të dy poetët i ngjiten malit të purgatorit. Purgatori ka 7 rrathë, ku bëhet pastrimi i shpirtit përmes vuajtjeve të pendesës. Aty Dantja i ndan fajet sipas teorisë së Platonit: njeriu mëkaton nga çrregullimet e dashurisë me tepri (mendjemadhësia, kur njeriu e do së tepërmi veten; smira, kur i do të keqen tjetrit; zemërimi kur do të hakmerret etj.); kur dashuron me pasion të tepruar (kopracia, kur njeriu do pasurinë apo shpenzimet e tepërta; grykësia, kur njeriu do më shumë sesa duhet gojën e vet; epshet e tyre etj.). Në përfundim të këtij udhëtimi, vjen Beatriçja dhe e shpie fluturimthi në qiejt e parajsës, nëpër 9 qiejt danteskë, ku sundon drita e përjetshme. Ata janë: qielli i Hënës, i Mërkurit, i Venerës, i Diellit, i Marsit, i Jupiterit, pastaj qielli i shpirtrave soditës, Saturnit, qielli i yjeve dhe në fund, qielli që rrethon me nëntë rrathë engjëjsh Perëndinë.
http://www.botimeshqip.com/leters…/5818-komedia-hyjnore.html