Shtëpia
Warsan Shire
Askush nuk e lë shtëpinë,
përveçse kur shtëpia është gojë peshkaqeni…
E lë shtëpinë atëherë
Kur shtëpia nuk të lë të rrish.
Askush nuk e lë shtëpinë
Përveçse kur shtëpia
Të shtron zjarr nën këmbë,
Gjak të nxehtë në bark.
Duhet të kuptosh,
Askush nuk e vë fëmijën e vet në një varkë
Përveçse kur uji duket më i sigurt se toka.
Askush nuk i djeg shuplakat nën trena,
Askush nuk i kalon ditët e netët në zemër të vagonëve
Duke u ushqyer me gazeta,
Përveçse kur miljet e përshkuara
Do të thonë më shumë se një udhëtim.
Askush nuk do të zvarritet gardheve
Askush nuk do të vritet, mëshirohet.
Askush nuk zgjedh kampin e refugjatëve,
Ose burgun,
Por burgu është më i sigurt
Se një qytet në flakë…
Dua të shkoj në shtëpi
Por shtëpia është gojë peshkaqeni,
Shtëpia është fuçi baruti.
Askush nuk e lë shtëpinë
Përveçse kur shtëpia të ndjek në breg,
Të thotë t’u japësh këmbëve,
Të pëshpërit në vesh:
Ik larg meje!
Nuk e di se çfarë jam bërë,
Por e di se kudo është më sigurt se këtu.
Përktheu: E. Qose