skip to Main Content

Çfarë e bën jetën të vlefshme për t’u jetuar?

Irvin Jalom përpiqet t’i japë përgjigje në librin e ri “Krijesa të një dite”

Gjëja më e rëndësishme që një terapist, mund të bëjë është që të ofrojë një marrëdhënie shëruese autentike, nga e cila pacientët mund të marrin çfarëdolloj gjëje për të cilën kanë nevojë.
Një burrë i ri që përpiqet të largojë tmerrin nga vdekja përmes vitalitetit seksual; një i moshuar që lufton me kufizimet e plakjes dhe kapet pas spontanitetit rinor, që ofron horizonte të pakufizuara; një paciente që është duke vdekur kërkon të gjejë kuptimin e jetës; një infermiere që u shërben të tjerëve, por nuk mund të ngushëllojë veten; një grua që është e etur për një të shkuar më të mirë dhe një tjetër që vendos të bëhet “pioniere e vdekjes” për miqtë dhe familjen e saj…
“Krijesat e një dite dhe rrëfenja të tjera të psikoterapisë” ofron një përshkrim inteligjent e të dhembshur të shpirtit njerëzor. Dhjetë histori, ku pacientët përballen me ankthin për vdekjen, për humbjen e njerëzve të dashur dhe, më të fundit, për humbjen e vetvetes.
“Një pacient më bekoi si dëshmitar i faktit që një njeri i madh njëherë e kishte konsideruar atë të rëndësishëm. Ndjenja e realitetit të thyer e një pacienteje ndreqet nga një takim autentik dhe i palëkundur me terapistin e saj. Një tjetër kupton që jeta e vërtetë jetohet në momentin e tanishëm. Jeta e një pacienti tjetër ndryshon kur unë e referoj te një mirëmbajtëse shtëpie. Një infermiere prezantohet me veten e saj më të mirë. Një shkrimtare e pashprehur gjen zërin e saj. Ditët e fundit të një pacienteje, që është duke vdekur, mbushen me domethënie kur ajo shërben si pioniere e vdekjes për miqtë dhe familjen e saj. Një paciente, që është gjithashtu edhe terapiste, kupton që diagnoza mund të dëmtojë dhe shtrembërojë të kuptuarit. Një pacient e gjen veten duke u matur me praktikën e një mendimtari të vjetër. Në secilin rast, unë krijova ose ndonjëherë takova, një qasje unike për çdo pacient, që nuk do të gjendej në ndonjë manual terapie. Meqenëse nuk mund ta dimë asnjëherë saktë se si kemi ndihmuar, ne terapistët duhet të mësojmë që të jetojmë e të ndihemi rehat me misterin teksa u bëhemi bashkudhëtarë pacientëve tanë në rrugën e tyre të vetëzbulimit”,- shkruan aurori në pasthënien e librit.

Çfarë e bën jetën të vlefshme për t’u jetuar? Çfarë mund të bëjmë për t’u dhënë kuptim ditëve tona? Gjatë karrierës së tij të gjatë, autori Irvin Jalom i ka nxitur pacientët dhe lexuesit të përballen me dy sfidat madhore: të gjithë do të vdesim një ditë dhe e kemi vetë në dorë ta bëjmë kuptimplotë jetën tonë.