skip to Main Content

Dashuri në kohë lufte

p018byj5

Disa nga librat më të mirë në historinë e letërsisë janë ata për luftën. Ngjarjet e vendosura në sfondin e fushëbetejave, ku historia përzihet me fiksionin dhe romancën, gjithmonë kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit.
Një ditë më parë sollëm në shqip korrespodencën mes dy të dashuruarve në kohë lufte. Dhe meqë jemi në të njëjtin “territor”, po rendisim disa nga historitë më tëbukura në kohë lufte.

“Odiseja” – Homeri
E nisim me klasikët, me atë që të gjithë e njohin si mit, por pak e lexojnë të plotë. Libri tregon udhëtimin e Odisesë në Itakë, pas përfundimit të luftës së Trojës. Një burrë kthehet në shtëpi pas viteve të tëra në luftë e udhëtim, për të zbuluar se shtëpia nuk është më ajo që ka qenë, që e shoqja nuk është më ajo që ka lënë dhe ai vetë nuk është më ai që ishte kur u largua.

“Për kë bien kambanat” – Ernest Hemingueji
Amerikani Robert Jordan u bashkohet forcave antifashiste në Spanjë gjatë luftës civile. Në mes të luftës ai rizbulon pasionin për jetën nëpërmjet marrëdhënies me Marian. Një grua e re spanjolle. Një roman klasik mbi luftën, bazuar në eksperiencën e vetë autorit si reporter lufte. Një libër ku ndihet dashuria për jetën, me gjithë bukurinë dhe dhimbjen që e shoqëron.

“Testamenti i rinisë” – Vera Brittain
I cilësuar si klasik dhe një nga librat më të vlerësuar të letërsisë angleze në shekullin XX. “Testamenti i rinisë” është një libër ndryshe mbi luftën, parë nga këndvështrimi i një gruaje.,Një libër i fuqishëm mbi impaktin e Luftës së Parë Botërore në jetën e një gruaje dhe të dashurve të saj. Në qendër të librit është historia e dashurisë së autores dhe rënia në luftë e të fejuarit dhe vëllait të saj.

“Vajza e postës” – Stefan Cvajg
Ngjarjet e romanin janë vendosur në përfundim të Luftës së Parë Botërore. Varfëria e tejskajshme, pasojat e drejtpërdrejta të luftës, diktojnë jetën e personazheve. Dy të rinj të dashuruar – një veteran lufte dhe një vajzë që punon në zyrën e postës – enden nëpër rrugët e Vjenës, të dëshiruar për njëri-tjetrin dhe pa mundësi ekonomike për të gjetur një dhomë të hairit.

Elona Qose