Kur flet dëshpërimi
Është viti 1882, nihilizmi ka mbërthyer gjithë Europën. Mjekësia nuk ofron shumë ngushëllim për vuajtjet ndërsa feja duket edhe më pak efektive. Zhozef Brojeri, themelues i psikanalizës, është në kulmin e karrierës së tij. Fridrih Niçe, filozofi i madh europian, është në prag të vetëvrasjes nga dëshpërimi, i pazoti për të gjetur një kurë për dhimbjen e kokës dhe sëmundje të tjera që e mundojnë – të dy personazhe të romanit “Kur qau Niçe” nga Irvin D. Yalom, psikoterapist dhe profesor i Universitetit të Stanfordit në SHBA.
“Kur qau Niçe” është romani i tij i parë, kur i lindi dëshira për të shkuar fiksion dhe për ta bërë këtë duhej të thellohej në kërkime terapeutike.
Vendosi të shkruante për Niçen dhe shpejt kuptoi që mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishte duke shkruar për Niçen në periudhën më të dëshpëruar të jetës. Siç e pranon edhe vetë autori, më të vështirë e pati të gjente karakterin e përshtatshëm të psikoterapistin e tij. Dhe në një moment iu shfaq Brojeri…
Në Vjenën e viteve 1880, Anna O. ecte çdo mbrëmje drejt shtëpisë së Zhozef Brojer. Sapo ulej në karrigen e drunjtë në dhomën e madhe të mbushur me tablo, ajo niste të fliste e tregonte ankthet e saj. Anna O. dhe e shkuara e saj u kthyen në burim frymëzues kërkimesh jo vetëm për psikologun austriak Brojer, por edhe për mikun e tij Frojdin, ndërsa nxiti pas më shumë se një shekulli krijimin e këtij libri.
Më shumë sesa për një takim hipotetik mes të dyve, ‘Kur qau Niçe” është një rrëfim mbi rrethanat ndonjëherë të pazakonta në të cilat vendosen karakteret njerëzore.