skip to Main Content

Misteri i quajtur Komb dhe Shqiptari i parë…

NaumVeqilharxhi

Nga Bujar Kule

Jeta njerëzore, përcaktohet nga kufijtë e lindjes dhe vdekjes. Shtyrë nga kjo ndjesi, si edhe për arsye praktike, shkronjësit e historisë janë përpjekur gjithmonë ta ndajnë historinë njerëzore në epoka kohore që kanë një fillim dhe një fund.  Edhe pse këto ndarje janë të pasakta dhe artificiale (si çdo gjë tjetër, edhe historia, nuk lind nga hiçi e nuk shndërrohet në hiç), nëse respektojmë metodën tradicionale dhe aktuale të ndarjes kronologjike të historisë, mund të themi se, epoka e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, zë fill me jetën dhe mendimin e patriotit Naum Veqilharxhi që lindi në fshatin Vithkuq të Korçës në vitin 1797.

Vetëm pak vite mbas lindjes së Naumit, familja e tij u detyrua të emigronte në një nga principatat autonome të Rumanisë. Por, edhe pse i rritur larg atdheut, Naum Veqilharxhi si dikur Gjergj Kastrioti, nuk e harroi kombin të cilit ndjente se i përkiste. Në vitin 1838, shteti rumun kreu një rregjistrim të popullsisë. Sipas mendësisë së kohës, shqiptarët  e besimit ortodoks u regjistruan si të kombësisë greke dhe ata  myslimanë  si të asaj turke. Por Naumi këmbënguli  dhe i detyroi autoritetet rumune ta rregjistronin si të kombësisë shqiptare, duke u bërë i pari qytetar me kombësi shqiptare në mbarë botën.

Pra, Rilindja jonë Kombëtare zë fill me një “Jo!” të vendosur!

Me një akt të prerë mohimi…

“Unë nuk jam as grek dhe as turk! Feja nuk mund të përcaktojë kombësinë time!”

Akt mohimi që do të pasohej nga pohimi…

“Unë jam shqiptar!”

Pohim ky, që do të trondiste si një tërmet të gjitha planet e fshehta që dipllomacia e shteteve europiane do të thurte për zhbërjen e kombit shqiptar në shekujt që pasuan.

Beteja juridike e Naum Veqilharxhit për të ligjësuar të drejtën e njohjes së kombësisë shqiptare nga shteti rumun, do të paraprihej dhe pasohej nga përpjekjet e tij për shkrimin e një abetareje të gjuhës shqipe, botimin e kësaj abetareje dhe, njohjen zyrtare të gjuhës shqipe nga autoritetet e shtetit turk dhe ato të kishës ortodokse.

Nga një lutje për ndihmë drejtuar një nipi të tij, tregëtar ky i përmëndur për pasurinë e madhe që zotëronte, Naumi do të merrte këtë përgjigje…

“Ç’është ky komb shqiptar që më flet ti mor xhaj? As edhe një libër i vetëm historie nuk shkruan për historinë e tij. Nuk ka patur kurrë ndonjë shtet të quajtur shqiptar. Të këshilloj pra, të mos humbasësh  më paret dhe kohën  me marrëzira të këtilla…”

Nipi i Naum Veqilharxhit kishte të drejtë!

Asnjë libër historie nuk fliste për një komb të quajtur shqiptar. Asnjë shtet në histori nuk kishte mbajtur emrin e këtij kombi. Por megjithëkëtë, Naumi ashtu si shumë bashkombas të tij, etër të rilindjes sonë kombëtare, në mënyrë krejtësisht të pallogjikshme për mendësinë e kohës kur jetonte, ndjente se i përkiste këtij kombi. Ndjente se ishte shqiptar dhe jo grek, serb, bullgar, rumun apo italian.

Përse?

Çfarë na bën të ndihemi pjesë e një kombi?

Pyetje kjo që na shpie drejt të tjerave  akoma edhe më tunduese.

Çfarë është kombi?  Cilat janë arsyet që përcaktojnë krijimin dhe mbijetesën e një kombi?

Ndërkohë që shqiptarët të frymëzuar nga idetë e Rilindjes Kombëtare, filluan të luftonin me penë dhe me pushkë që të fitonin të drejtën për të pohuar përpara mbarë botës, emrin e kombit të tyre, në vitin 1882, shkrimtari dhe filozofi Ernest Renan do të përpiqej t’i jepte një përgjigje misterit të madh që mbulonte arsyet e lindjes dhe ekzistencës së kombeve. Mister ky, që aq shumë kishte torturuar mëndjet e historianëve dhe filozofëve përgjatë shekujve.

Në kërkim të kësaj përgjigjeje kaq tunduese por edhe të rrezikshme për një kohë kur mendohej, se, për të bërë apo zhbëre një komb, mjaftonin firmat e dipllomatëve të fuqive të mëdha europiane, Renan qëmtoi me kujdes të gjitha teoritë që politologët, filozofët dhe historianët kishin ngritur në kohë për misterin e quajtur komb. Kujdes! Teori që  fatkeqësisht, akoma edhe në ditët e sotme, mund t’i dëgjoni të propogandohen si të vërteta absolute në faqet e librave (madje edhe ato shkollorë!), gazetave apo prej gjuhëve përpëlitse të opinionistëve tanë mëndjendritur që çdo mbrëmje mbushin ekranet gjithnjë e më të dysta të aparateve televizive.

Sipas më të famshmes ndër këto teori; lindja, mbijetesa dhe madhësia e një kombi lidhej dhe varej ngushtësisht me ekzistencën historike të një shteti dhe shtrirjes së kufijve të tij.

Renan, pranon se ishte plotësisht e vërtetë që, krijimi i disa kombeve europiane si për shembull ai francez,  e kishin zanafillën në territoret e pushtuara nga shtete të krijuara prej dinastish mbretërore mesjetare.

“Pushtime së pari të pranuara nga popullsitë e nënshtruara, e më pas, të harruara si të tilla, nga masat e popullit”, thekson Renan.

Krijimi dhe ekzistenca e kombit francez ngjante se dëshmonte vërtetësinë e kësaj teorie. Por, në ç’mënyrë shteti i dinastisë mbretërore franke të Merovingëve që udhëhoqi pushtimin e Francës gjeografike mbas rënies së Perandorisë Romake, arriti të shndërrojë në një komb të vetëm, një popullsi aq të ndryshme nga prejardhja etnike dhe kulturore, siç ishte ajo e Provincës Romake të Galisë?

Përgjigja e Renan është cinike sa edhe reale;

 

“Harresa dhe fallsifikimi i historisë, janë mjetet kryesore që përdor politika shtetërore për krijimin e një kombi të ri. Kjo është edhe arsyeja që studimi dhe hulumtimi i historisë bëhen armiku më i madhi politikës shtetërore që kërkon të krijoj një komb të ri. Hulumtimi i historisë sjell në dritë, dhunën e kryer gjatë bashkimeve të detyruara të popullsive nga politika shtetërore. Madje edhe në rastet kur pasojat e kësaj politike kanë qenë pozitive, bashkimi është kryer gjithmonë në mënyrë të dhunshme. Bashkimi i Francës Veriore me atë jugore ishte rezultat i një masakre dhe terrori që vazhdoi për më shumë se një shekull”.

 

Por shumë kombe në mbarë botën ashtu si edhe kombi shqiptar, ndryshe nga ai francez, ndjeheshin të tillë, edhe pse nuk kishin patur asnjëherë në historinë e tyre një shtet që t’i kishte bashkuar dhunshëm brenda kufijve të tij. Si ishte e mundur? Cila ishte arsyeja apo shkaku i mistershëm që i kishte bëre këto bashkësi individësh të ndjeheshin pjesë të një kombi të ndryshëm nga kombet e tjera?

Mos ndoshta kjo arsye, ishte ajo që politologët europianë të shekujve XIX dhe XX, e quanin faktori “racë”?

 

“Është e vërtetë që raca ruan akoma kuptimin e saj në zoologji”, përgjigjet Renan, “por nga ana tjetër, duke njohur se prej miliona vitesh njeriu është ndarë nga bota e kafshëve, ideja e studimit të ndikimit të saj  në zhvillimin e shoqërisë njerëzore është krejtësisht absurde dhe e pallogjikshme. Shumë kombe, si për shembull gjermanët apo italianët, u krijuan nga bashkimi i racave dhe popujve të ndryshëm, por kjo nuk i ka penguar aspak të ndihen një komb më vete”.

 

Mos ndoshta arsyeja e krijimit dhe mbijetesës së një kombi ishte gjuha e përbashkët?

―Aspak!― do të kundërshtonte prerë Renan.

Anglia dhe Shtetet e Bashkuara, edhe pse flisnin të njëjtën gjuhë, nuk ishin një komb i vetëm dhe, e njëjta provë, vlente edhe për kombet e Amerikës Jugore që edhe pse flisnin spanjisht, nuk ishin e nuk ndjeheshin pjesë e kombit spanjoll.

Mos ndoshta  arsyeja e krijimit të  kombit ishte feja?

―Jo!― do të mohonte i vendosur Renan.

Në disa prej kombeve europiane praktikoheshin dy apo më shumë besime fetare, por ky fakt, nuk ishte bërë shkak që këto kombe të shpërbëheshin.

Atëhere…

Çfarë përcaktonte krijimin dhe mbijetesën e një kombi?

Ernest Renan do t’i jepte kësaj pyetje një përgjigje të paparashikueshme…

 

“Kombi është një gjendje shpirtërore dhe si i tillë ka një zanafillë shpirtërore. Dy ndjesi që nuk mund të ndahen nga njëra―tjetra, i japin jetë zanafillës shpirtërore nga ku lind kombi dhe, ushqejnë shpirtin që e mban atë gjallë. Njëra i ka rrënjët në të shkuarën dhe tjetra në të ardhmen. E para, lidhet me ekzistencën e një thesari kujtimesh që mbartin së bashku në kujtesë një grup individësh. Kurse e dyta, lidhet  me vullnetin që shpreh ky grup individësh për ta ruajtur këtë thesar  kujtimesh dhe, dëshirës për t’ia lënë trashëgim pasardhësve, ashtu si ata vetë, e kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre. Njeriu  nuk mund të trasformohet sipas dëshirave të momentit. Edhe kombi, ashtu si individi, është pjellë e një të shkuare të gjatë e të mundimshme, gjatë së cilës, për mbijetesën e tij, janë kryer shumë sakrifica e përkushtime. Nderimi i paraardhësve tanë, ndër të gjitha besimet fetare është ai më i natyrshmi dhe i ligjshmi, sepse janë këta paraardhës, ata që na  kanë krijuar ashtu siç jemi sot. Një e shkuar heroike, njerëzish të mëdhenj dhe lavdie, është boshti shoqëror ku mbështetet ekzistenca e një kombi”.

 

Mbi gjithçka tjetër, sipas Renan, lindja, ekzistenca dhe mbijetesa e një kombi, përcaktohet nga kujtesa e tij historike. Nga kultura, mitet, legjendat, përrallat, këngët, traditat të krijuara në shekuj falë frymëzimit që kjo kujtesë historike rrezatonte. Ishte pikërisht ekzistenca e kësaj kujtese historike dhe kulturore të trashëguar nga të parët, vullneti për ta mbrojtur dhe dëshira për t’ia lënë këtë kujtesë historike dhe kulturore në trashëgim pasardhësve, faktori X apo esenca e magjishme që përcaktonte lindjen dhe mbijetesën e një kombi  në histori. Naum Veqilharxhi dhe etërit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishin bij të një kombi të vogël i cili sipas teorive të politologëve europianë të përmëndura nga Ernest Renan, nuk kishte arsye të ekzistonte dhe si rrjedhojë, për të mos dëshmuar pavlefshmërinë e teorive të tyre, nuk duhej të ekzistonte.

Bij të një kombi që nuk kishte patur kurrë një dinasti mbretërore që t’i kishte bashkuar brenda kufijve të një shteti të vetëm.

Bij të një kombi që në pjesën dërrmuese të historisë së tij, kishte qenë i ndarë ekonomikisht dhe politikisht nga kufijtë e dy apo më shumë shteteve.

Bij të një kombi, pjesëtarët e të cilit ishin besimtarë të feve të ndryshme.

Por të gjithë këta faktorë, që për teoritë e politologëve europianë të përmëndur nga Renan, dëshmonin për mos ekzistencën e kombit shqiptar, nuk kishin mundur të zhbënin nga shpirti i shqiptarëve ndjesinë e të qenit pjesë e një kombi të ndryshëm nga të tjerët. Akti i mohimit i Naum Veqilharxhit,“Unë nuk jam, as grek, as serb, as turk, as italian!”, i pasuar nga pohimi, “Jam shqiptar!” dhe vetë ekzistenca e kombit shqiptar, dëshmonin për vërtetësinë e përgjigjes që Ernet Renan i dha pyetjes se çfarë ishte një komb dhe çfarë kushtëzonte lindjen dhe mbijetesën e tij. E nëse duam të jemi, të ndjehemi shqiptar edhe përgjatë rrjedhës së panjohur të historisë së këtij shekulli të ri, duhet mbi gjithçka tjetër, të mësojmë, ruajmë dhe të mos harrojmë, historinë e të parëve tanë, pa mundin, gjakun, djersën dhe sakrificat e të cilëve nuk do të ishim mbi këtë botë.

28 Nëndor 2015.