Përse shkruaj? Nga Ermira Bicaj
Më ndodh shpesh kur e kam të nevojshme të flas me dikë, dikë që dëgjon, dikë që s’mendon për gjë tjetër derisa unë të mbaroj, dikë që të dijë të presë rrufetë negative të emocioneve të mia, dikë që nuk paragjykon. E di mirë se askush nuk më detyrohet të më bëhet rrufepritëse, edhe unë, në fakt, s’dua të ngarkoj asnjë negativisht. Ja pse shkruaj. Atëherë kur ma do shpirti të flas, unë shkruaj. Marr një laps e letër dhe zaptoj një qoshe çdo kund, mjafton të mos shqetësohem dhe shkruaj. Letra nuk flet, nuk paragjykon, nuk rri indiferente, as nuk afrohet e as nuk largohet, nuk kritikon, mban sekrete, nuk vepron pas shpine. Mund ta grisesh, ta mbledhësh, ta hedhësh tutje pa marrë asnjë sharje nga mbrapa e megjithatë sërish do të gjendet një letër tjetër për të shkruar. Do çlirohesh, do qash, do qeshësh mbi letër, do t’i ruash dhe do t’i rihapesh prapë në një kohë më të qetë e as mikut më të mirë nuk do t’ia ndjesh mungesën. Do e rimarrësh letrën e shkruar dikur, do kujtohesh për kohët shkuara të lëna pas e do ndihesh i rikthyer në ato kohë, vetëm nga një letër.
Ermira Bicaj