skip to Main Content

Apeli i Viktor Hygos për të ndihmuar të varfrit del në ankand

Një letër e firmosur nga autori i “Të mjerët”, ku bën thirrje për bamirësi ndaj të varfërve në vend, del në ankand në Shtetet e Bashkuara për shumën fillestare 3 mijë dollarë.
Në këtë letër, autori i njohur francez i lutet marrësit që të ketë mirësinë të japë 100 franga për të varfrit e vendit të tij.
Hygo njihej për ndjeshmërinë ndaj shtresave të varfra, duke e fokusuar edhe kryeveprën e tij “Të mjerët” në jetën e më të pafatëve në Paris; nga prostituta Fantinë te jetimja Kozetë. Personazhi kryesor i veprës, Zhan Valzhan, u dënua me 19 vjet burg për vjedhjen e një buke për të ushqyer shtatë fëmijët e uritur të së motrës. Kërkesa e Hygos nuk synonte edhe aq shumën sesa nxitjen për të ndihmuar. Në atë kohë, shprehja “100 franga” përdorej rëndom në kuptimin e të qenit bujar.
Në testamentin e tij, Hugo përcaktoi: “U lë të varfërve 50 mijë franga. Refuzoj fjalimet nga të gjitha kishat. Lutem për të gjithë shpirtrat. Unë besoj në Zot”.
Hugo ndërroi jetë në vitin 1885 dhe u varros sipas vullnetit të shprehur në testament.
“Le Figaro”, që i kushtoi faqen e parë lajmit për vdekjen e autorit, shkroi: “As në këtë shekull dhe as në ata paraardhës, Franca nuk ka pasur një poet të staturës së tij”.